Zbulohet oferta e Mallorcas për Muriqin

  • S.A /
  • 30 May 2022 - 13:32
Zbulohet oferta e Mallorcas për Muriqin

Vedat Muriqi e pati një eksperiencë pozitive në La Liga. Sulmuesi kosovar i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime gjatë pesë muajve sa qëndroi në Mallorca. Ai e ndihmoi ekipin spanjoll të mbetet në ligën elitare spanjolle dhe gjatë kësaj periudhë hyri në zemrat e tifozëve të këtij klubi. Ata madje i kërkuan atij edhe publikisht të qëndrojë në ekipin ishullor. Momentalisht, 28 vjeçari është rikthyer në Lazio pasi i përfundoi huazimi në Mallorca. Por, klubi italian nuk e ka ndërmend ta mbajë lojtarin, i cili e kishte një eksperiencë dëshpëruese prej një viti e gjysmë në kryeqytetin italian. Lazio e kishte vendosur çmimin e Muriqit prej 12 milionë eurosh.

Por, Mallorca kërkon ta blejë më lirë lojtarin. Klubi spanjoll është i gatshëm t’i paguajë 10 milionë euro për kartonin e prizrenasit, shkruajnë mediat italiane. Lazio e kishte blerë Muriqin për afro 20 milionë euro nga Fenerbahçe, ndërsa nuk është e gatshme ta japë atë për një shumë më të ulët se 10 milionë euro. Gjithashtu, interesim për Muriqin, i cili aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës, ka shfaqur edhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe dhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Galatasaray. 

(Kosova Sot Online )