Pronarët e rinj të Milanit premtojnë se do ta kthejnë klubin në majat e futbollit botëror

  • S.A /
  • 01 June 2022 - 11:21
Pronarët e rinj të Milanit premtojnë se do ta kthejnë klubin në majat e futbollit botëror

Pronarët e rinj të Milanit kanë dhënë premtime të mëdha, menjëherë pasi u arrit marrëveshja për shit-blerjen e klubit italian për 1,2 miliard euro. RedBird Capital e mori pronësinë e kampionit të ri italian nga Elliott Advisors, të cilët e kanë mbajtur një pjesë të vogël të aksioneve dhe do të kenë ulëse në bord.

E pronarët e rinj, të cilët do ta marrin klubin në dorë nga muaji shtator, premtojnë se do ta rikthejnë klubin italian në majat e futbollit botëror, njëjtë si në fillim-vitet e 2000-ta.  “Prioritet i RedBird është që të punojë me fituesit e titullit sportiv dhe me menaxhmentin e klubit, për ta vazhduar rrugëtimin e Milanit për t’u rikthyer në majat e futbollit evropian.

Një kombinim i një ekipi të suksesshëm në fushë, zhvillimi i lojtarëve dhe përforcimet, një operacion komercial i nivelit të lartë dhe eksperienca e RedBird në operimin dhe ndërtimin global të bizneseve sportive, do të sigurojë që kapitulli i ri në historinë e lavdishme të Milanit do t’i dërgojë Kuqezinjtë në lartësi edhe më të madhe.”, thuhet në deklaratën e RedBird.

Themeluesi dhe partneri menaxherial i RedBird Founder, Gerry Cardinale shtoi:

“Ne jemi të nderuar që do të jemi pjesë e historisë së shkëlqyeshme të Milanit dhe mezi presim ta marrim rolin në kapitullin e ri të klubit, ndërsa ai të rikthehet në vendin e duhur në krye të futbollit italian, evropian dhe botëror.”

(Kosova Sot Online )