Interesim i jashtëzakonshëm për bileta për ndeshjen e sontme Trepça – Ylli

  • S.A /
  • 02 June 2022 - 10:25
Interesim i jashtëzakonshëm për bileta për ndeshjen e sontme Trepça – Ylli

Qyteti i Mitrovicës këto ditë po jeton me basketbollin. Tema kryesore e javëve të fundit në qytetin buzë Ibrit është finalja e “play-offit” të Superligës ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit. Interesimi për të qenë në palestër dhe për t’i përkrahur “Xehetarët” në këtë qytet është i jashtëzakonshëm. Klubi mitrovicas ka paralajmëruar se biletat për ndeshjen e katërt finale të “play-offit”, e cila do të luhet sonte, do të dalin në shitje në orën 10:30 në biletarinë e rregulluar nga klubi në bashkëpunim me palestrën sportive. Kërkesa për bileta është enorme, por fatkeqësisht vetëm një numër i vogël do ta ketë mundësinë të pajiset me biletë. E për ta siguruar një biletë për njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, mijëra tifozë e kanë marrë rrugën drejt pikës së shitjes së biletave, me shpresën që do të pajisen me një të tillë.

Klubi mitrovicas ka njoftuar se sasia e lejuar për blerje nga një person është 2 bileta. Edhe në ndeshjen e parë që u luajt në Mitrovicë ditë më parë, interesimi për të blerë bileta ishte i hatashëm. Madje, u desh të ndërhynte edhe policia me sprej për ta shpërndarë turmën e mllefosur që mbeti pa bileta dhe që konsideronin se kishte keqpërdorime të biletave. Ndeshja e sontme ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit do të luhet në palestrën “Minatori” duke filluar nga ora 20:30. Aktualisht, Golden Eagle Ylli prin 2-1 në serinë e ndeshjeve finale. Trepça synon ta barazojë sonte serinë, e Ylli me një fitore eventuale do të shpallet kampion. Një gjë është e sigurt: atmosfera në palestër do të jetë e zjarrtë. 

(Kosova Sot Online )