Shqipëria synon ta nisë me fitore sonte edicionin e ri në Ligën e Kombeve

  • E.K /
  • 06 June 2022 - 13:22
Shqipëria synon ta nisë me fitore sonte edicionin e ri në Ligën e Kombeve

Kombëtarja shqiptare do ta nisë sonte edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë do të kenë punë me Islandën, në nisje të kampanjës së re të kësaj gare.

Ekipi i Edy Rejas do të luajë me islandezët në stadiumin “Laugardalsvollur” të Reykjavikut, në ndeshjen që do të nisë në orën 20:45.

Pra, Shqipërinë e pret sonte një ndeshje jo e lehtë, shkruan “Gazeta Express”.

Por, trajneri italian beson se “Shqiponjat” mund të dalin me kokën lartë nga stadiumi islandez.

“Që nga momenti që kam nisur rrugëtimin tim këtu në ndeshjen me Islandën, kemi pasur një rritje cilësore, por edhe në rezultate. Jemi këtu për të arritur diçka më të mirë. Padyshim që sa më shumë zhvillohesh, aq më e vështirë bëhet për të arritur gjendjen optimale maksimale. Padyshim që të gjitha ekipet që janë në këtë grup si Izraeli si Islanda pretendojnë që të jenë favorite me largimin e Rusisë. Megjithatë kjo e gjitha do tregohet në fushë dhe ne duhet të bëjmë gjënë më të mirë, për të treguar që jemi favorit jo vetëm në mendim, por edhe në fushë. Të gjithë lojtarët që janë të grumbulluar janë fizikisht gati. I gjithë grupi është i gatshëm të jetë në fushë, kemi pasur dhe më para mungesa dhe i kemi zëvendësuar me zgjedhje që rezultuan të suksesshme. Kemi bërë një stërvitje të mirë dhe nga pikëpamja e grupit janë të gjithë mirë. Ajo që mbetet për të provuar është forca që do tregojmë në fushë, për të marrë më të mirën e mundshme nga kjo ndeshje”, ka thënë Reja, i cili foli edhe për kundërshtarin e sontëm.

“Islanda është një skuadër e fortë, pavarësisht zhvillimeve është një skuadër fizikisht shumë e fortë. Ka kryesore luftën në ajër dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo detaj, do mundohemi të bëjmë më të mirën, por nuk ka favorit në fushën e lojës duhet të bëjmë më të mirën.”, përfundoi ai.

Krahas Shqipërisë e Islandës, në Grupin 2 të Ligës B gjendet edhe Izraeli, ndërsa Rusia është përjashtuar nga kjo garë. 

(Kosova Sot Online)