Abramovich goditet përsëri, ia marrin edhe dy aeroplanë

  • S.A /
  • 07 June 2022 - 10:26
Abramovich goditet përsëri, ia marrin edhe dy aeroplanë

Roman Abramovichit po i kushton shtrenjtë afërsia që e ka me presidentin rus, Vladimir Putin.

Miliarderi rus u detyrua ta shiste klubin e futbollit Chelsea pasi u bë “persona non grata” në Britaninë e Madhe, e cila ia ndaloi atij futjen në territorin e saj dhe fillimisht ia ngriu krejt asetet që i kishte në këtë vend, të cilat më pas u detyrua t’i shiste, përfshirë këtu edhe klubin londinez.

E tash, oligarku rus e pësoi goditjen e radhës e Perëndimit dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i sulmit ushtarak rus në Ukrainë.

SHBA-të në fakt e kanë urdhëruar sekuestrimin e dy aeroplanëve që janë në pronësi të miliarderit rus, për shkak se janë prodhuar në SHBA dhe për këtë arsye iu nënshtrohen sanksioneve të vendosura nga Washingtoni ndaj Rusisë.

Dy aeroplanët, një Boeing 787 Dreamliner dhe një Gulfstream, mësohet se kanë fluturuar për në Rusi pas muajit shkurt, atëherë kur nisi edhe pushtimi i Ukrainës.

Boeing, i cili sipas të dhënave vlen 350 milionë dollarë, aktualisht ndodhet në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërsa, dy aeroplanët vlerësohen më shumë se gjysmë miliard euro. 

(Kosova Sot Online )