Kosova e Irlanda e Veriut, përballë njëra-tjetrës me “një kerr mungesa”

  • S.A /
  • 08 June 2022 - 10:18
Kosova e Irlanda e Veriut, përballë njëra-tjetrës me “një kerr mungesa”

Kosova dhe Irlanda e Veriut do të përballen në mes vete nesër mbrëma në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Këto dy Kombëtare gjenden në Grupin 2 të Ligës C, ndërsa në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta zhvillojnë duelin e tretë respektiv këtë muaj. “Dardanët” dhe veri-irlandezët do t’i hyjnë kësaj loje me “një kerr mungesash”. Kosovës do t’i mungojnë portieri Aro Muriç dhe mbrojtësi Fidan Aliti, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq në sfidën ndaj Greqisë. Gjithashtu, në ndeshjet e qershorit s’po luajnë as mbrojtësit e krahut: Mërgim Vojvoda e Florent Hadërgjonaj, ndërsa mungon edhe mesfushori ofanziv, Bersant Celina.

Nga ana tjetër, Irlanda e Veriut i ka të lënduar lojtarët si: Stuart Dallas, Josh Magennis, Corry Evans e Craig Cathcart, të cilët do të mungojnë në katër ndeshjet e qershorit. Kjo ua ka dhënë mundësinë e debutimit këtë muaj lojtarëve të rinj si Shea Charles, Conor McMenamin e Brodie Spencer. Sidoqoftë, të dyja Kombëtaret janë të vendosura për ta fituar këtë sfidë. Kosova e ka një fitore dhe një humbje, kurse Irlanda e Veriut një barazim e një humbje. Ndeshja ndërmjet këtyre dy Kombëtareve do të luhet të enjten mbrëma duke filluar nga ora 20:45. 

(Kosova Sot Online )