Sonte kompletohet lista e Kombëtareve që do të luajnë në Botëror

  • S.A /
  • 14 June 2022 - 09:29
Sonte kompletohet lista e Kombëtareve që do të luajnë në Botëror

Sonte do të kompletohet lista e Kombëtareve që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të këtij viti. Kosta Rika dhe Zelanda e Re do ta kërkojnë biletën e fundit që çon në “Katar 2022”. Me këtë rast do të dihen emrat e 32 Kombëtareve që do të luajnë në garën më prestigjioze të futbollit, e cila do të mbahet në pjesën e dytë të vitit. Mbrëmë, Australia u bë Kombëtarja e 31-të që do të shkojë në Katar pasi e siguroi kualifikimin në Botëror për herë të dytë radhazi.

“Kangurët” e eliminuan Perunë në “play-offin” interkontinental. Vendimtare ishin penalltitë, pasi loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan baras, 0:0. Portieri Redmayne ishte hero pas pritjes vendimtare të penalltisë së Alex Valeras. Për Australinë, kjo do të jetë hera e gjashtë që merr pjesë në një Kampionat Botëror. “Katar 2022” do të mbahet në mes të muajve nëntor dhe dhjetor të këtij viti. 

(Kosova Sot Online )