Lazios i vjen një ofertë për Muriqin, është larg nga kërkesa e klubit italian

  • E.K /
  • 04 July 2022 - 10:18
Lazios i vjen një ofertë për Muriqin, është larg nga kërkesa e klubit italian

Vedat Muriqi e kaloi në Mallorca pjesën e dytë të sezonit të fundit.

Dhe, sulmuesi kosovar bëri paraqitje bravuroze në fanellën e klubit spanjoll.

Kjo ka bërë që klubi ishullor të mundohet ta mbajë më gjatë përfaqësuesin kosovar, i cili në 16 ndeshje i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime.

Mediumi spanjoll “Mundo Deportivo” raporton se Mallorca është e interesuar për ta blerë lojtarin, por i ofron vetëm 5.5 milionë euro për kartonin e tij.

Nga ana tjetër, Lazio nuk e ka ndërmend të lëshojë pe dhe nuk zbret nën 10 milionë euro për prizrenasin.

Pra, për momentin distanca në mes të kërkesës dhe ofertës është e madhe, por mbetet të shihet nëse gjatë kësaj vere do të gjendet ndonjë marrëveshje në mes të palëve.

Muriqi nuk i ka kaluar dy vjet duke luajtur në Itali, prandaj Lazios duhet t’ia paguajë shtetit taksat.

Kjo nënkupton se “Biancocelesti” duhet ta shesin sa më shtrenjtë të jetë e mundur 28 vjeçarin.

Ndërkohë, interesim për ish-futbollistin e Rizesporit kanë shfaqur edhe gjigantët turkë, Galatasaray dhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe.

E në Angli atë e do klubi nga Championshipi, Hull City.

Muriqi ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025, ndërsa klubi italian e kishte blerë atë në vitin 2020 për afro 20 milionë euro. 

(Kosova Sot Online)