De Jong nuk ndërron mendje, refuzon përfundimisht ofertën e Man Unitedit

  • S.A /
  • 16 July 2022 - 13:20
De Jong nuk ndërron mendje, refuzon përfundimisht ofertën e Man Unitedit

Saga e transferimit të Frenkie de Jong te Manchester United mund të përfundojë në ditët në vijim, pasi lojtari është duke kërkuar me ngulm që të qëndrojë te Barcelona. Reprezentuesi holandez është ndjekur nga “Djajtë e Kuq” që nga qershori, pasi Erik ten Hag kërkon të përforcojë skuadrën e tij para fillimit të sezonin 2022/23. Pavarësisht se Barcelona besohet se e ka pranuar ofertën e Manchester Unitedit, de Jong e ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të qëndruar në “Camp Nou”.

Krerët e klubit katalunas thuhet se po kërkojnë nga 25-vjeçari që të pranojë një ulje të pagës, por as kjo ende nuk është pranuar nga lojtari.

Sipas mediave spanjolle, edhe pse kjo situatë po vazhdon të tensionohet, ish-mesfushori i Ajaxit e ka mbajtur pozicionin e tij dhe agjenti e ka informuar klubin anglez.

“SPORT” ka raportuar se përfaqësuesi i Frenkie de Jong, Ali Dursun, është takuar me shefin ekzekutiv të Manchester Unitedit, Richard Arnold, për ta informuar se dëshira e lojtarit është për të qëndruar te Barcelona, duke refuzuar kështu kategorikisht ofertën e tyre përfundimtare.

De Jong me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026. 

(Kosova Sot Online )