Barcelona fiton me spektakël miqësoren ndaj Inter Miamit, shkëlqejnë transferimet e verës

  • S.A /
  • 20 July 2022 - 08:29
Barcelona fiton me spektakël miqësoren ndaj Inter Miamit, shkëlqejnë transferimet e verës

Barcelona ka shënuar fitore të thellë 6-0 ndaj Inter Miamit në kuadër të miqësoreve para-sezonale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Klubi katalunas është duke kryer përgatitjet para-sezonale në SHBA, ndërsa aty ka aranzhuar disa ndeshje miqësore.

E tillë është edhe ajo e mëngjesit të sotëm (e mërkurë), të cilën Barcelona e fitoi 6:0 ndaj Inter Miamit. Ekipi i Xavi Hernandezit arriti t’i shënoj nga tri gola në secilën pjesë, ndërsa shkëlqyen transferimet e reja, përveç Robert Lewandowskit, i cili nuk luajti.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 19-të me anë të Pierre-Emerick Aubameyang, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Raphinhas.

Pas asistimit, Raphinha (25’) gjeti vet golin duke shënuar për 2-0, ndërsa braziliani asistoi përsëri në minutën e 41- për Ansu Fati, i cili shënoi për 3-0. Në pjesën e dytë, Xavi ndryshoi gjithë skuadrën duke bërë 11 zëvendësime, por duke vazhduar shkëlqimin dhe shënuar tri gola tjerë.

I pari në këtë pjesë erdhi në minutën e 55-të me anë të Gavit, i cili shënoi për 4-0 pas asistimit të Memphis Depay, ndërsa holandezi u përkujdes të shënojë vet në minutën e 69-të për 5-0.

Goli i fundit dhe i rezultatit përfundimtar u shënua në minutën e 70-të me anë të Ousmane Dembele që shënoi për 6-0. 

https://www.youtube.com/channel/UC14UlmYlSNiQCBe9Eookf_A?feature=emb_ch_name_ex

(Kosova Sot Online )