Ngadalë por sigurt, në Kosovë po  ndodhë  kthimi në rrugën e natyrshme shtetërore

Ngadalë por sigurt, në Kosovë po  ndodhë  kthimi në rrugën e natyrshme shtetërore
Ngadalë por sigurt, në Kosovë po  ndodhë  kthimi në rrugën e natyrshme shtetërore

Shefik Shkodra

  • 20 July 2022 - 08:00

Shkruan: ANALISTI-Shefik Shkodra 

 

Opozita e sotme aq shumë vërsulen mbi institucionet, presidencë, qeveri e kuvend duke u përpjekur të gjejnë, si thuhet, “kime në qull” të huaj. Por shkatërrimin dhe dezorientimin qytetarë e kanë bërë për njëzet e sa vite këta që sot ndodhen në opozitë. Këta që thirren aq shpesh në emër të popullit. Janë në kundërshtim me pozitën, jo për të përparuar mendimin politik e për të aprovuar ligje të mira për vendin, por këmbëngulja e tyre është, që të mos aprovohet ligji për konfiskimin e pasurisë të paligjshme.

 

Aq shumë bëhen qesharak me lloj-lloj përrallash si denoncime, gjëja për institucionet, por nuk janë asnjë markante e të dëmshme për qytetarët deri më tash, por krejt e kundërta. Prandaj, e shohin veten (disa) se do të  shënohen në këtë thjerrëz ligjore nga institucionet, në anën tjetër zërat janë të banalizuar, me pretekst që të ruajnë atë që e kanë “fituar” për sa kohë. Të ruajnë një “status quo”, e si ndihmesë e lehtësim për amortizim kohe, për t’i gjykuar pozitën si shkatërruese. Natyrisht, për ata që e kanë keqpërdorur dje pozitën institucionale, partiake, etj. Na shkon mendja se një pjesë e mirë, sidomos të mjeteve financiare e kanë fshehur nëpër banka të vendeve jashtë Kosovës. Po të ishte diçka e dhunshme e pa ndonjë arsye të madhe, do të na vinte keq edhe ne qytetarëve. Por kjo do të sjellë një paqe e një rehati për të ardhmen. Kot thirren këta në emër të qytetarëve. Sepse nuk janë kujtuar për qytetarët e vendit të posa çliruar nga një okupator i vjetër e i ndytë. Shumë të uritur dhe shumë abuzues. Çdo gjë do të shihet e do të korrigjohet gjatë një kohe, kur ligji funksionon, por edhe kur nuk ka gjasa të praktikohet, të gjithë qytetarët e shohin atë mangësi. Ndoshta, korrupsioni dhe organizimi kriminal, individual dhe grupor nga ana e institucioneve shtetërore na del si një trend jo vetëm te shqiptarët, por në gjithë  Ballkanin. Por është e dhimbshme për ne në Kosovë: e para, përherë të parë erdhi dita të pavarësohet ky vend dhe të formojmë shtet e të qeverisim vetë. Ne është dashur që prej një ‘fije kashte’ të bëjmë dy, do të thotë, atë të pamundshmen të mundshme me vullnet ta bënim e shtonim, e jo krejt që kalon nëpër duar të rrëmbehet nga një pakicë për të pasuruar veten dhe familjen; e dyta, korrupsioni dhe krimi i organizuar është dhe do të jetë si fenomen shoqëror shumë i rrezikshëm dhe i dëmshëm për shoqërinë në përgjithësi. Sot dikush po thërret, “po kolapson ekonomia e Kosovës!” Shumë e saktë që mund të kolapsojë, sepse qeverisjet e deritashme e sollën për aq vite buzë greminës ekonominë e krejt Kosovën. Pra, është turp për atë zotërinë dhe të tjerët, që nuk janë sa duhet autokritikë. Një pranim gabimi është gjysmë faji, mendoj dhe qytetarët tonë falin. Zotërinjtë, nga fillimi i një epoke të re për Kosovën, një Rilindje, të cilët qytetarët e këtij vendi i kanë votuar me besimin më të madh, (disa) i kanë keqpërdorur institucionet. Kanë bërë “pazare” në marrëveshje, ata në pushtet. Kanë vendosur prokurorë dhe gjykatës sipas nevojave të tyre personale dhe e kanë keqpërdorur vendin e tyre politikisht. Pak ditë ka pasur që nuk janë shfaqur afera të ndryshme në lëmin e ekonomisë, tregtisë dhe abuzime të tjera të organizuara. Asnjë akuzë për raste të kësaj natyre nuk është realizuar për njëzet e sa vite. Shteti i Kosovës ka pasur edhe donacione nga vendet e ndryshme pas luftës, por janë keqpërdorur edhe ato pak mjete financiare të vendit, të krijuara për një buxhet të vogël. Të lidhur ngushtë me oligarkinë ka vijuar për kaq kohë në këtë vend abuzimi me të mirat materiale e financiare të shtetit. Për oligarkët ishin “të korra” të shkëlqyeshme, të cilët kanë krijuar një jetë luksi, por u kanë shkaktuar dëm dhe varfëri qytetarëve të vendit. Një numër i konsiderueshëm i kuadrove të reja janë shpërngulur në katër anët e botës, për shkak të mos funksionimit të ligjit dhe shterjes së pasurisë në vend, e pa lëvizje në hapje të vendeve të punës. Asnjë aktakuzë nuk është kryer. Asnjë pushtetar nuk e ka pranuar fajin lidhur me këto afera. Asnjë denoncim i milionave nuk është trajtuar në gjykata, ose kanë përfunduar, “s’ka fakte për t’u gjykuar”, ose dënohet “me burgim shtëpiak” për ndonjë ditë, ose “i pafajshëm”. Si avokati si gjykatësi si prokurori. Mund ta marrësh me mend, sa dëmtimet janë bërë për këto vite dhe janë munduar që t’ua mbyllin gojën atyre që nuk i pranojnë udhë rrëfimet e tyre, si moto, na kemi të drejtë shfrytëzimi të jashtëzakonshëm e si nevojë për udhëheqësit Kosovës.  Nevoja ka qenë dhe është kurdoherë për pastrimin dhe ndalimin rigoroz të dukurive negative, sidomos ndaj atyre që udhëheqin vendin, partive, deputetëve dhe e tërë lidhjes me përcjellësit e tyre. Këto abuzime do të duhej që ligji të sanksionojë dhe të pastrojë, duke vepruar edhe me sekuestrimin e pasurive të pajustifikueshme e çdo njërit që ndodhet në atë pozitë, pavarësisht kush dhe si quhet. S’ka grada kur është në pyetje ruajtja e shtetit. S’ka humanitet me ata që nuk e konsiderojnë këtë vend atdhe dhe qytetarët bashkëkohës e bashkë kombëtarë.

Si po shihet, institucionet e tanishme, presidencë, kuvend e qeveri, dita ditës po i afrohen qëllimit me aprovimin e një ligji nga shumica për të formuar agjenci, për sekuestrimin e pasurisë jashtëligjore. Me këtë do të vihej një rend juridik për të ardhmen, jo kanë humbur kaq milion, po nuk e dimë si ishte puna. Këtu nuk ka pardon! Qytetarët në këtë shekull nuk jetojnë në mjegullën e një grupi apo shumë grupeve. Në institucione qytetarët nuk i zgjedhin tipat për t’i shfrenuar për interesa të tyre, por për t’ua ndërtuar qytetarëve një jetë më të mirë. Pasuria shoqërore shtetërore e publike, madje edhe ajo private, do të duhej të sigurohet dhe të ruhet, që të shfrytëzohet në mënyrë kolektive e me ligj. Pra, me një fjalë, do të duhej të lirohemi edhe nga këto të këqija. Shteti duhet të udhëhiqet me ligje, jo me lidhje të bandave për grabitje apo plaçkitje. Na duhet të hapin vende të punës, e t’i inkuadrojmë brezat që vijnë në vendin e tyre. T’ua bëjmë të mundshme jetën edhe atyre që po vijnë në jetë. Të shkollohen dhe të inkuadrohen në punë në vendin e tyre. Jo të vrapojnë e të lakmojnë vendet evropiane e botërore. Përse jemi çliruar? Në mërgim ishim gjithmonë. S’ke pasur të drejta në vendin tënd. Tjetër kush e ka shfrytëzuar këtë pasuri të Kosovës. Po sot? Na duhet ta quajmë veten si pjesë e botës demokratike bashkëkohore.    

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".