Nga provat në kapiten për gjashtë muaj, ngritja e pabesueshme e yllit të ri të Luzernit, Ardon Jashari

  • S.A /
  • 20 July 2022 - 16:03
Nga provat në kapiten për gjashtë muaj, ngritja e pabesueshme e yllit të ri të Luzernit, Ardon Jashari

Ardon Jashari është sensacioni më i ri i Luzernit.

Futbollisti i ri kosovar i ishte bashkuar ekipit të parë në fazën përgatitore të dimrit pasi në atë kohë ishte pjesë e skuadrës U-21 të klubit zviceran.

Por, 19 vjeçari e impresionoi trajnerin Mario Frick, i cili dalëngadalë i dha përgjegjësi dhe besim të plotë në pjesën e dytë të sezonit 2021/22.

“Është me të vërtetë lojtar i mirë”, kishte thënë trajneri Frick muaj më parë, shkruan mediumi zviceran “Blick”, i cili ia ka kushtuar një shkrim të veçantë “xhevahirit të Luzernit”, përcjell “Gazeta Express”.

Gradualisht, ai e futi mesfushorin qendror në 11-shen titullare dhe më pas nuk e largoi asnjëherë prej saj.

Jashari shfaqi personalitet dhe siguri në mesfushë duke kontribuuar në nisjen e aksioneve e deri tek asistimet dhe shënoi edhe vetë gol.

Pra, në harkun e gjashtë muajve, nga provat ai u bë një yll i ri i ekipit.

Madje, trajneri Frick ka insistuar se nëse vazhdon kështu, brenda pak vitesh Jashari do të mundë të luajë në njërën prej Top 5 ligave evropiane.

Trajneri i Luzernit ka shkuar edhe më larg.

Ai e ka bërë Jasharin si zëvendës-kapiten dhe kur kapiteni i parë, Christian Gentner të përfundojë në bankinë, e që pritet të ndodh më shpesh në sezonin e ri, futbollisti kosovar do të jetë kapiteni kryesor i ekipit.

“Askush nuk mund ta pengojë dhe ta ndalë më karrierën e Ardonit”, ka thënë tutje trajneri Frick, i lumtur që futbollisti e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2026.

Madje, ai shpreson që Jashari ta zgjasë atë për një vit tjetër, shkruan “Gazeta Express”.

Frick e ka ndërmend të eksperimentojë tutje, duke e vendosur Jasharin në qendër të mbrojtjes, rol të cilin në pranverë e kishte mbuluar Marco Burch.

Ai nuk ka frikë, pasi ka besim total tek Jashari.

“Mendoj se ky rol do t’ia japë atij një shtytje më shumë”.

Luzerni dëshiron ta ketë një sezon sa më pozitiv me liderin e ri, Ardon Jashari.

(Kosova Sot Online )