Ish-presidenti i Ferrarit e jep lajmin e madh: I shikoj garat e Formula 1 së bashku me Schumacherit

  • S.A /
  • 21 July 2022 - 14:28
Ish-presidenti i Ferrarit e jep lajmin e madh: I shikoj garat e Formula 1 së bashku me Schumacherit

Ish-presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit dhe i Ferrarit, Jean Todt ka dhënë informata të reja rreth gjendjes shëndetësore të mikut të tij të afërt, Michael Schumacher. Detajet e shëndetit të shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 janë mbajtur sekrete që nga aksidenti që e kishte pësuar në vitin 2013 në alpet franceze. Ai e kishte pësuar një aksident teksa ishte duke skijuar dhe më pas kishte mbetur në gjendje kome për një kohë. Nga ajo kohë, familja e ka mbajtur sekrete gjendjen e ish-pilotit gjerman.

Por, informata më të freskëta për Schumin ka dhënë së fundmi Jean Todt, i cili i ka qëndruar gjithmonë afër legjendës së Formula 1, edhe pas aksidentit të tij të tmerrshëm, i cili e kishte lënë për gjashtë muaj pa ndjenja.

“Mua nuk më mungon Michael. Unë mund ta shoh atë. Por, natyrisht, ajo që më mungon është ajo që jemi mësuar të bëjmë së bashku”, u shpreh Todt për televizionin gjerman “NTV”. Francezi madje ka dhënë lajme edhe më të mira, duke insistuar se Schumacher është në gjendje të jetë në rrjedha për sezonin aktual të Formula 1, duke konfirmuar se dyshja i shikon garat së bashku. “Po, është e vërtetë. Unë i shikoj garat bashkë me Michael”. Michael Schumacher konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mirë në histori. Pasi e mbylli karrierën e suksesshme me Ferrarin dhe Mercedesin, ai iu përkushtua pasioneve të tij, skijimit dhe lëshimit me parashutë.

(Kosova Sot Online )