Muriqi do t’i kryejë sot vizitat mjekësore

  • S.A /
  • 22 July 2022 - 12:57
Muriqi do t’i kryejë sot vizitat mjekësore

Vedat Muriqi do të rikthehet në Mallorca, aty ku la gjurmë për gjashtë muaj sa luajti në formë huazimi.

Klubi spanjoll ka arritur marrëveshje me Lazion për blerjen e kartonit të sulmuesit kosovar për 9,4 milionë euro, përfshirë këtu edhe bonuset.

Dhe, mediumi italian “La Repubblica” raporton se 28 vjeçari do t’i kryejë sot vizitat mjekësore në klubin e La Ligas, e më pas do ta nënshkruajë kontratën katërvjeçare me ishullorët.

Së fundmi, prizrenasi dështoi t’i kalonte vizitat mjekësore në Club Brugge dhe kështu i dështoi edhe transferimi në klubin belg.

Por, lazialët besojnë se Muriqi është në gjendje të mirë fizike dhe se gjithçka do të shkojë mirë në Mallorca.

Lazio e kishte blerë Muriqin për afro 20 milionë euro nga Fenerbahçe në verën e vitit 2020.

Por, ai kishte dështuar ta tregonte veten në futbollin italian për një vit e gjysmë sa qëndroi tek “Biancocelesti”.

Interesim për Muriqin kishin shfaqur edhe Galatasaray në Turqi dhe Hull City në Angli.

(Kosova Sot Online )