FFK kërkon që huliganeve të mbrëmshëm t’u ndalohet hyrja në stadiume

  • E.K /
  • 05 September 2022 - 18:30
FFK kërkon që huliganeve të mbrëmshëm t’u ndalohet hyrja në stadiume

Pas incidentit të mbrëmshëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka reaguar me një komunikatë për shtyp Federata e Futbollit të Kosovës (FFK)

Në reagimin e FFK-së thuhet se federata e dënon ashpër këtë insident që ndodhi gjatë ndeshjes FC Prishtina – FC Ballkani në kryeqytet.

“Stadiumi “Fadil Vokrri” dhe çdo stadium tjetër në Kosovë, duhet të jetë vendi ku tifozeritë në mënyrë të dinjitetshme marrin pjesë për të përkrahur skuadrat e tyre, por nuk duhet të shihen si arena për të shprehur mllefin personal apo grupor, duke shkaktuar incidente të tilla si në ndeshjen e mbrëmshme, kur tifozët e Prishtinës depërtuan nga pjesa e tribunës jugore në atë lindore e më pas veriore dhe sulmuan tifozët e Ballkanit me mjete të forta. Po ashtu, nga organet e rendit është raportuar se në rrugën “Enver Zymberi” pak para fillimit të ndeshjes ka pasur edhe therje me thikë pas një përleshje ndërmjet disa personave”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikat.

FFK e ka dënuar ashpër këtë akt dhune dhe “çdo incident që cenon shëndetin e njeriut dhe të të gjithë pjesëmarrësve në stadiumet e futbollit”.

“Dhuna në njerëz por edhe vandalizmi është i papranueshëm dhe si të tillë duhet ta luftojmë”.

“FFK kërkon nga klubet të jenë dukshëm më të përgatitura në organizimin e ndeshjeve në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit në stadiume të ndihen të sigurt. Po ashtu, ftojmë klubet dhe organet e rendit që t’i identifikojnë personat e dhunshëm dhe t’u ndalohet hyrja në stadiume, ngase ata nuk ia dëshirojnë të mirën as klubit të tyre e as futbollit në përgjithësi. Po ashtu, Shtëpia e Futbollit është gjithmonë në dispozicion për të asistuar sa herë që klubet kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmë”, thuhet në fund të kësaj komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të FFK-së. 

(Kosova Sot Online)