Marotta thotë se Lukaku mund të kthehet në Chelsea pas largimit të Tuchelit

  • S.A /
  • 10 September 2022 - 10:35
Marotta thotë se Lukaku mund të kthehet në Chelsea pas largimit të Tuchelit

Shefi ekzekutiv i Interit, Guiseppe Marotta, ka thënë se Chelsea mund të kërkojë qëndrimin e Romelu Lukakut pas largimit të Thomas Tuchelit. Sulmuesi belg u rikthye te “Blutë” në verën e vitit 2021, por ai nuk kaloi aspak sezon të mirë – duke shënuar vetëm tetë gola në sezonin e kaluar në Premierligë.

Dhe, Lukaku në verën e këtij viti u rikthye sërish te Interi, por kësaj radhe si i huazuar nga Chelsea.

Klubi londinez ka emëruar së fundi Graham Potterin në pozitën e trajnerit, pas shkarkimit të Tuchelit.

Sipas Marottas, ardhja e Potterit mund të bëjë që Lukaku të kthehet në “Stamford Bridge” për sezonin 2023/24.

“Është një lajm i freskët. Nuk e di se cilat do të jenë efektet e ndryshimit të trajnerit [për të ardhmen e Lukakut]”, tha ai për “Sky Sport”.

“Ne duam të marrim performancën më të mirë nga Lukaku, dhe më pas në fund të sezonit do të ulemi dhe do të flasim për të me Chelsean. Nuk e di nëse ndryshimi i trajnerit do të thotë që rikthimi i tij është automatik, është e vështirë për të parashikuar sot”, shtoi Marotta.

Në marrëveshjen për huazimin e 29-vjeçarit nuk është përfshirë opsioni i blerjes, teksa Lukaku ka kontratë të vlefshme me Chelsean deri më 30 qershor 2026. 

(Kosova Sot Online )