Agjentit shqiptar të Jasharit i ndalohet hyrja në stadiumin e Luzernit, vendimi dyshohet se lidhet me të kaluarën

  • S.A /
  • 10 September 2022 - 14:40
Agjentit shqiptar të Jasharit i ndalohet hyrja në stadiumin e Luzernit, vendimi dyshohet se lidhet me të kaluarën

Agjentit shqiptar të futbollit, Agron Krasniqit, i është ndaluar hyrja në stadiumin “Swissporarena”.

“Blick” ka raportuar se FC Luzerni ka vendosur që agjenti në fjalë të mos lejohet më të hyjë në “Swissporarena”. Sipas mediumt zviceran, që shkruan se vendimin e ka parë, në letër nuk është përmendur ndonjë arsye pse erdhi deri te ky vendim. Ky vendim është shqiptar nga “Luzernd Holding AG”, me aksionar Bernhard Alpstaeg. “Swissporarena” në fakt i përket atij. Ai posedon edhe shumicën e aksioneve të klubit.

Tutje thuhet se nëse Agron Krasniqi do të rezistojë, me të do të merret pastaj policia. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, teksa vlen edhe për të gjitha zonat përreth stadiumit. Ai do të mund t’i shikojë ndeshjet kur Luzerni i luan si mysafir.

Nga të afërmit thuhet se Alpstaeg është përkujdesur personalisht për Jasharin dhe familjen e tij për një kohë të gjatë, se ai e ka ndihmuar lojtarin, ndër të tjera, për të gjetur një profesion. Dhe, ndryshimin e agjentit e konsideron si veprim të pabesë, duke u aluduar se kjo nuk i ka pëlqyer atij.

Christoph Graf, president i Shoqatës së Agjentëve të Lojtarëve të Zvicrës, ka thënë : “Jam në dijeni për ndalimin e vendosur ndaj Agron Krasniqit. Nëse Krasniqi do të ishte sjellë si duhet, Bernhard Alpstaeg me siguri nuk do ta kishte nxjerrë këtë vendim”.

“Blick” shkruan se kur u pyet, Krasniqi tha se nuk ka çfarë të thotë për këtë rast, teksa ai ka kërkuar mirëkuptim dhe respekt. Për vendimin nuk ka pranuar të flet askush nga klubi i Luzernit, teksa ka heshtur edhe futbollisti, Ardon Jashari, i cili aktivizohet te skuadra zvicerane dhe është nën menaxhimin e Agron Krasniqit. Bernhard Alpstaeg gjithashtu nuk është përgjigjur lidhur me këtë.

Ardon Jashari po regjistron paraqitje të mira me Luzernin në Superligën e Zvicrës, vetëm pak kohë pasi ai kaloi te skuadra e parë – duke u shndërruar në një futbollist të pazëvendësueshëm në formacionin e Mario Frick.

20-vjeçari thuhet se ka zgjuar interesim nga klubet, derisa “Blick” shkruan se “aty ku bëhen marrëveshje që premtojnë para, përfaqësuesit e lojtarëve nuk janë larg”.

Ardon Jashari ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

(Kosova Sot Online )