Kush e do Suarezin? Uruguaiani do të largohet nga klubi që iu bashkua rishtazi

  • E.K /
  • 20 September 2022 - 12:32
Kush e do Suarezin? Uruguaiani do të largohet nga klubi që iu bashkua rishtazi

Eksperienca e Luis Suarezit në Nacional de Montevideo do të marrë fund shumë shpejt.

Sulmuesi uruguaian u rikthye së fundmi në atdhe, më saktësisht në klubin ku u rrit dhe u zhvillua si futbollist.

Ai e pati një eksperiencë të jashtëzakonshme në futbollin evropian me Ajaxin, Liverpoolin, Barcelonën dhe Atletico Madridin.

E në Uruguai, ai e nisi mjaft mirë përvojën në Nacional duke i realizuar 4 gola dhe duke i bërë 3 asistime në 10 ndeshje.

Sidoqoftë, në nëntor veterani i sulmit do të largohet nga klubi aktual.

Për këtë siguron presidenti i klubit uruguaian, Jose Fuentes.

“Suarez do të largohet nga Nacional sapo të përfundojë kampionati. Kështu kishim rënë dakord dhe nuk dua të krijoj pritshmëri të rreme”, deklaroi kreu i klubit për “Canale 10”.

35 vjeçari ka mundësi që ta vazhdojë karrierën në ligën MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi eventual në Evropë.

Ai iu bashkua Nacionalit për të luajtur në vazhdimësi dhe për të qenë në formë dhe i gatshëm për Botërorin e Katarit. 

(Kosova Sot Online)