“Si mund të bëjë gjumë Ronaldo natën?”

  • S.A /
  • 26 September 2022 - 12:01
“Si mund të bëjë gjumë Ronaldo natën?”

Nëna e tifozit autik të Evertonit, të cilit ia kishte thyer telefonin Cristiano Ronaldo, ka kërkuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA) që ta ndëshkojë yllin e Manchester Unitedit. Pesë herë fituesi i Topit të Artë ishte protagonist negativ në stadiumin “Goodison Park” në muajin prill kur ia kishte përplasur përtokë telefonin dhe ia kishte lënduar dorën tifozit 14 vjeçar, Jacob Kelly.

E nëna e tij vazhdimisht i ka ndjekur rrugët ligjore dhe tash shpreson që CR7 ta marrë dënimin e merituar nga FA.

“Le të shpresojmë që ai më në fund ta marrë dënimin e merituar. Ai nuk mund t’ia kalojë paq pas asaj që e ka bërë. Sjellja e tij është e papranueshme. Djali im flet çdo ditë për atë që i kishte ndodhur. Ai madje nuk ka më as telefon”, thekson nëna e tifozit të Evertonit për “The Mirror”.

“Ronaldo do të duhej të paguante për telefonin e thyer. Ai është personi që e ka shkaktuar këtë. Si mund të fle natën duke e ditur se çfarë pasojash i ka shkaktuar një tifozi të ri?”, vazhdoi nëna e tifozit.

“Ai na ka kërkuar takim dhe kërkoi falje, duke shtuar se nuk ka bërë diçka të keqe. Kjo nuk është keqardhje, është nënçmim dhe fyerje”, përfundoi ajo. 

(Kosova Sot Online )