Drita shfaq siguri, e mposhti 89-shin dhe e ruajti primatin dhe pamposhtmërinë

  • S.A /
  • 08 October 2022 - 15:27
Drita shfaq siguri, e mposhti 89-shin dhe e ruajti primatin dhe pamposhtmërinë

Drita ka shfaqur siguri edhe në xhiron e 10-të të Albi Mall Superligës së futbollit. Skuadra gjilanase e mposhti Trepçën ’89 me rezultat 3:1 për ta ruajtur pozitën e lideres dhe serinë e pamposhtmërisë. Në një ndeshje me dhjetëra raste nga të dyja skuadrat, “Intelektualët” u treguan më konkretë dhe realizuan tri herë, një herë në pjesën e parë dhe dy në atë të dytë. Nga ana tjetër, mitrovicasit ishin vërtetë të pafat pasi atyre iu anulua një gol përmes sistemit VAR dhe një herë e qëlluan shtyllën. Muharrem Jashari i kaloi gjilanasit në epërsi në minutat e parë të lojës.

E në 45 minutëshin e dytë, Besnik Krasniqi shënoi nga penalltia për ta ngritur epërsinë në 2:0.Kurse, Ardit Tahiri shënoi me lehtësi nga afërsia me portën e zbrazët për epërsinë e trefishtë të mikpritësve.

Deri në fund, ekipet i patën edhe disa raste shënimi.

89-shi e shënoi golin e parë dhe të vetëm shumë vonë, tek në minutat shtesë përmes Ardian Mujës, i cili u shërbye nga Christian Mba.

Drita prin në tabelën e ligës elitare me 24 pikë, prej tyre 7 fitore e 3 barazime, 6 pikë më shumë se ndjekësi kryesor, Ballkani, i cili megjithatë i ka 3 ndeshje më pak të zhvilluara. Kurse, Trepça ’89 mbetet në vendin e gjashtë me 9 pikë, prej tyre 2 fitore, 3 barazime e 3 humbje. Sonte do të luhet ndeshja e dytë e kësaj xhiroje ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të fillojë në orën 20:00. 

(Kosova Sot Online )