Thiago Silva: Të kthehem në San Siro është speciale, Milani nuk gabon dy herë rresht

  • S.A /
  • 11 October 2022 - 14:17
Thiago Silva: Të kthehem në San Siro është speciale, Milani nuk gabon dy herë rresht

Rikthimi në San Siro do të jetë mjaft i veçantë për Thiago Silvan.Futbollisti brazilian kishte luajtur me sukses për Milanin para se të transferohej në Paris Saint-Germain, prej nga kishte përfunduar në Chelsea. E qendërmbrojtësi stabil sonte do të zbresë në stadiumin ku e duan të gjithë. Ai mezi pret ta zhvillojë lojën e sontme me “Rossoneri”, e vlefshme për xhiron e katërt të Grupit I në Ligën e Kampionëve.

“Është e bukur të kthehem në San Siro pas 12 vjetësh. Do të mundohem të mbetet i qetë dhe të koncentrohem në lojë. Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo e para. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë. Për fat të mirë kemi fituar në Londër, kështu që një barazim në San Siro nuk do të ishte i keq. Të luash në këtë stadium nuk është e lehtë, por objektiv yni është që të marrim sa më shumë pikë”, deklaroi përfaqësuesi brazilian.

“Milani? Mund t’i ndodhë secilit që të mos bëjë lojë të shkëlqyeshme. Por, skuadrat e mëdha nuk gabojnë dy herë radhazi, kështu që do të jetë e vështirë për ne. Duhet ta shënojmë një gol dhe më pas të mbrohemi ashtu siç dimë ne. Do të jetë një natë speciale për ne. Edhe në Londër ishte emocionuese. Ka ardhur këtu edhe gruaja ime, do të jetë një ditë e madhe. Shpresoj ta bëj një lojë të mirë”, përfundoi Thiago Silva.

Ndeshja ndërmjet Milanit dhe Chelseat do të luhet sonte në San Siro duke filluar nga ora 21:00. 

(Kosova Sot Online )