Tottenhami do t’i nisë bisedimet me Conten për një kontratë afatgjate

  • S.A /
  • 15 October 2022 - 10:32
Tottenhami do t’i nisë bisedimet me Conten për një kontratë afatgjate

Tottenham Hotspur planifikon të fillojë bisedimet me Antonio Conten rreth kontratës së re. Italiani po i afrohet njëvjetorit të tij si trajner i Spurs, teksa kontrata aktuale e tij skadon në fund të sezonit . Në marrëveshje ekziston opsioni për zgjatje të bashkëpunimit edhe për 12 muaj të tjerë, por klubi londinez dëshiron të diskutojë nëse Conte është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje të re me një angazhim më të gjatë, sipas “The Telegraph”. Conte fiton rreth 15 milionë funte në vit dhe nuk dihet nëse ai do të kërkonte një rritje pagash për të qëndruar më shumë se një vit tjetër.

Pasi ligat do të pushojnë muajin e ardhshëm shkaku i Kampionatit Botëror “Katar 2022”, te Tottenhami e shohin nëntorin si kohën ideale për të hapur negociatat.

Ata nuk shqetësohen për faktin se 53-vjeçari jeton ende në një hotel dhe se gruaja dhe vajza e tij jetojnë në Itali, pasi janë vizitorë të rregullt dhe trajneri thuhet se është i kënaqur me rrethanat e tij personale.

Conte vendosi të qëndrojë në Tottenham pasi udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve për këtë sezon, derisa klubi ia siguroi edhe gjashtë përforcime të reja.

Por, ish-trajneri i Interit thuhet se do të kërkojë premtime nga drejtuesit e klubit për të parë nëse janë të përgatitur të vazhdojnë të shpenzojnë, pasi këmbëngul se do t’i duheshin të paktën edhe dy afate tjera të transferimeve për ta shndërruar Tottenhamin në pretedent për titull kampioni në Premierligë.

Nga 9 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në elitën e futbollit anglez, Tottenhami ka grumbulluar 20 pikë dhe renditet i treti në tabelë. 

(Kosova Sot Online )