Pimenta flet për vendimin e Pogbas për t’u rikthyer te Juventusi, vështirësitë dhe rikthimin nga lëndimi

  • S.A /
  • 17 October 2022 - 10:36
Pimenta flet për vendimin e Pogbas për t’u rikthyer te Juventusi, vështirësitë dhe rikthimin nga lëndimi

Rafaela Pimenta, që mori përsipër “perandorinë” e Mino Raiola, foli për vështirësitë e fundit të Paul Pogbas dhe vendimin e tij për t’u rikthyer në Juventus. Francezi u largua pas gjashtë vjetësh nga Manchester Unitedi për t’u rikthyer këtë verë në “Allianz Stadium”, duke nënshkruar kontratë 4-vjeçare.

Por, fillimi nuk ishte i mirë për Pogban. Ai pësoi një lëndim në gju në përgatitjet para sezonit, duke mos arritur që të zhvillojë ende ndeshje zyrtare këtë sezon.

Duke folur për “Tuttosport”, Pimenta diskutoi fillimisht çështjet që e mundojnë Pogban në jetën e tij personale.

“Kur Paul më në fund vendosi të merrte ndihmë, ai e përmirësoi situatën dhe e kuptoi se kishte një zgjidhje. Ai është në duart e avokatëve. Paul tani ka bërë gjithçka që duhej të bënte. Po, ndoshta ai mund të më kishte thënë më herët, por unë e kuptoj atë sepse nuk është e lehtë të flasësh për këto gjëra dhe shpesh përpiqesh t’i zgjidhësh vetë, sepse të vjen turp, sepse ke frikë. Por, kur Paul vendosi të fliste, gjërat ishin në rrugën e tyre drejt zgjidhjes”, tha fillimisht ajo.

Agjentja pastaj tregoi se si po ndihet tani reprezentuesi i Francës.

“Ai është entuziast. Superfuqia e Paul është të kapërcejë vështirësitë me forcë të jashtëzakonshme dhe pozitivitet të madh. Ishte një moment disa javë më parë kur ai më tha: ‘Rafaela, nuk dua të mendoj më për asgjë, fokusohem te gjuri dhe rikuperimi, sepse dua të luaj sërish’. Dhe kjo është ajo që ai bëri. Unë jam e sigurt se ai nuk ka dëgjuar askënd dhe nuk ka dëgjuar më asgjë, sepse ai është i aftë të mbyllë botën dhe të përqendrohet në një qëllim të vetëm”.

Pimenta u rikthye pak edhe në kohë, duke treguar se si vendosi 29-vjeçari që të rikthehej në Torino.

“E gjitha ndodhi në prill, kur Arrivabene dhe Nedved erdhën në Monte-Carlo për të parë turneun e tenisit ‘Masters 1000’. Erdhën pranë zyrës, biseduam pak dhe unë u thashë, pse nuk firmosni Pogban? Dhe ata thanë: ‘Sigurisht! Mund ta bëjmë nesër, a do të vinte ai?’. Dhe unë thashë: ‘Le ta thërrasim atë’. Dhe kështu shkoi… Çfarë tha Paul? Ai ishte i lumtur. Ai kujdeset për Juventusin. Ai kishte hipoteza të tjera në tavolinë, por kur dëgjoi fjalën Juve i la menjëherë mënjanë. Ai e do këtë klub dhe e do Italinë. Kjo sepse Juventusi i ka dhënë atij momente të mrekullueshme dhe lumturinë më të madhe. Atëherë e dini, lojtari do të mbetet gjithmonë i lidhur me klubin ku ka bërë kapërcimin nga i panjohur në lojtar të madh, për të Juventusi do të thotë shumë. Që kur u largua nga Juventusi, ai gjithmonë ka parë ndeshjet e Juventusit dhe ka vuajtur dhe ka brohoritur për to. Nuk e kam dëgjuar kurrë Paulin të flasë keq për Juventusin, përveç dy gjërave. Kur ai ishte atje, ata shkuan në një hotel dhe ai u ankua shumë për madhësinë e shtratit sepse ishte shumë i shkurtër. Ai thoshte: “Po më dalin këmbët! Gjëja tjetër ishte makarona me salcë domate: ‘Rafaela, ka gjithmonë makarona me salcë domate’ dhe unë i përgjigjesha: ‘Ti je në Itali! Çfarë doni të hani? Oriz dhe fasule?. Ne bënim shumë shaka për këtë dhe këtë verë ai ishte bërë pothuajse obsesiv. Ai mezi priste të mbyllte marrëveshjen. Ai vazhdimisht më pyeste: ‘kur do të shkoj në Juve? Kur do të shkoj në Juve?’. Ai ishte i emocionuar si i çmendur. Javët kaluan kështu… dhe më pas ai mbërriti dhe u lëndua. Një pikëllim i pamasë”, shtoi agjentja.

Pimenta foli edhe për vendimin fillestar të Pogbas për të mos bërë një operacion në gjurin e tij, teksa zbuloi se 29-vjeçari është afër rikthimit.

“Juventusi ishte shumë korrekt për t’i dhënë atij lirinë për të vendosur. Tani, ai nuk është mjek dhe as unë. Ne folëm me shumë specialistë, shumica sugjeruan operimin, disa sugjeruan terapi konservative. Sigurisht që kur dëshiron të shmangësh operacionin, je selektiv në dëgjim dhe priresh të dëgjosh ata që thonë terapi konservative. Ai e provoi dhe shkoi keq. Pse nuk e donte operacionin? Sepse ishte i bindur se me terapi do të kthehej më shpejt. Dhe ai kishte synimin që të kthehej sa më shpejt për t’i shërbyer ekipit. Për fat të mirë, kjo ka mbaruar tani. Ai së shpejti do të kthehet në fushë për ekipin e tij të Juventusit”.

(Kosova Sot Online )