Blinken përplaset me FIFA-n, kritikon ndalimin e shiritave për LGBTQ-n

  • S.A /
  • 22 November 2022 - 15:19
Blinken përplaset me FIFA-n,   kritikon  ndalimin e shiritave  për LGBTQ-n

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar duke e quajtur  “shqetësues” vendimin e FIFA-s që të ndalohen shiritat e krahut që promovojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ, në Kupën e Botës në Katar.

Duke folur pas ndeshjes mes SHBA-së dhe Uellsit në Kupën e Botës, që përfundoi me rezultat 1:1, Blinken tha se asnjë skuadër nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes pjesëmarrjes në Botëror dhe “mbështetjes së vlerave të veta”. Anglia, Gjermania dhe pesë skuadra të tjera evropiane i anuluan planet për të mbajtur në krahë shirita të frymëzuar nga flamuri i ylberit dhe motoja “Një dashuri” për shkak të kërcënimeve për ndëshkime disiplinore nga FIFA.

Vetëm disa orë para se të niste ndeshja e parë ku ishte paralajmëruar se lojtarët do t’i mbanin këta shirita të hënën, organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, paralajmëroi se lojtarët do të ndëshkoheshin menjëherë me karton të verdhë – dy kartonë të verdhë bëjnë që lojtarët të përjashtohen nga ajo ndeshje dhe nga ndeshja e radhës. Këta shirita ishin cilësuar si protestë simbolike ndaj ligjeve në Katar, nikoqir i Kupës së Botës, ku homoseksualiteti është ilegal. Vendimi i FIFA-s për t’i ndaluar shiritat është kritikuar në Evropë. Kur u pyet për këtë vendim pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman, Blindken tha: “Është gjithmonë shqetësuese kur sheh kufizime të çfarëdoshme mbi lirinë e shprehjes, veçanërisht kur kjo shprehje ka të bëjë me diversitet”. “Askush në fushën e futbollit nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes mbështetjes së vlerave të veta dhe pjesëmarrjes në lojë”, shtoi ai.

Blinken, që është edhe tifoz i futbollit, arriti në Doha të hënën për një vizitë 24-orëshe që përfshiu pjesëmarrjen në ndeshjen e parë të SHBA-së në Botërorin “Katar 2022”. Ministri i Katarit tha se vendi i tij, që ka shpenzuar mbi 200 miliardë dollarë në infrastrukturën dhe përgatitje të tjera për Kupën e Botës, është bërë viktimë e paragjykimeve për kushtet në vend. FIFA nuk është u është përgjigjur pyetjeve për këto deklarata të diplomatit amerikan.

(Kosova Sot Online )