Nëna zbulon historinë interesante: Pse u pagëzua Messi me emrin Lionel?

  • S.A /
  • 26 December 2022 - 08:18
Nëna zbulon historinë interesante: Pse  u pagëzua Messi me emrin Lionel?

Celia, nëna e futbollistit kampion bote, ka zbuluar sesi ishte puna që djali i saj u pagëzua me emrin Lionel.

Ajo ka pranuar se dëshironte që ai të quhej ndryshe. Por, ishte babai i sulmuesit argjentinas, Jorge, i cili përfundoi duke shkruar me emrin Lionel në gjendjen civile, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Nuk kishim emër mashkulli, më ka pëlqyer gjithmonë Leonel”, ka treguar nëna e yllit të kombëtares së Argjentinës.

“Kur Jorge shkoi ta shkruante, i vuri Lionel… kur erdhi gati e vrava”, shtoi ajo, sipas mediumit “NoticiasNet”.

E pyetur se pse burri i saj përfundoi duke zgjedhur këtë emër, në vend të Leonelit siç kishin rënë dakord, përgjigja ka të bëjë me fanatizmin e çiftit për një artist të madh.

“Neve na pëlqeu shumë Lionel Richie”, pranoi ajo.

Kur kjo histori u bë e njohur, shumë gazetarë e pyetën vetë Lionel Richie, se çfarë mendonte se emri i tij e kishte frymëzuar babanë e Lionel Messit kur ishte fjala për pagëzimin e djalit të tij.

“Fillimisht mendova se ishte një shaka”, tha ai, duke shtuar: “Dhe më pas bëra një hetim dhe pashë që ishte nëna e tij ajo që e tha. Ishte e vërtetë. Më lejoni t’ju them këtë: ‘e kuptoj që ai nuk mund të këndojë dhe dua t’ju njoftoj se nuk di të luaj futboll’”.

Por, sigurisht se në Argjentinë emri Leonel deri më tani ishte shumë më i popullarizuar se Lionel, kështu që shumë njerëz përfunduan duke thënë Leo në vend të Lio.

Diçka që edhe vetë lojtari përfundoi duke e pranuar: “Plaka ime do të më vrasë, por Leo tashmë është këtu”. 

(Kosova Sot Online )