Amir Rrahmani vazhdon në Napoli, gati kontrata deri më 2027

  • S.A /
  • 03 January 2023 - 12:17
Amir Rrahmani vazhdon në Napoli, gati kontrata deri më 2027

Amir Rrahmani pritet të luajë në Napoli edhe për një kohë të gjatë. Qendërmbrojtësi kosovar aktualisht është i lidhur me klubin italian me një kontratë e cila do të skadojë në verën e vitit 2024, transmeton "Kosova Sot Online".

Megjithatë, mediat italiane raportojnë se palët e kanë arritur marrëveshjen për vazhdimin e saj.

Më saktësisht, kapiteni kosovar pritet ta nënshkruajë kontratën e re, e cila do të zgjasë deri në verën e vitit 2027, pra do ta vazhdojë atë për tri vjet të tjerë.

28 vjeçari ka qenë protagonist në dy sezonet e fundit me Napolin dhe kjo ka bërë që napolitanët ta “blindojnë” ish-futbollistin e Dinamo Zagrebit e Veronës me një kontratë të re dhe afatgjate.

Edhe vetë futbollisti është i kënaqur në Napoli dhe e ka pranuar se do të donte ta vazhdojë karrierën në këtë ekip, ku është bërë njëri prej liderëve të trajnerit Luciano Spalletti.

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare pas takimit të drejtuesve të klubit me menaxherin e lojtarit, shkruan "Kosova Sot Online".

Rrahmani ndërkohë ka ushtruar intensivisht kohëve të fundit dhe është i gatshëm për t’u rikthyer nga lëndimi, i cili e la jashtë fushës së blertë për disa muaj.

Ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Spalletti për super-ndeshjen e nesërme ndaj Interit.

(Kosova Sot Online )