Ballkani e mposhti Llapin 1:0, e fiton Superkupën e Kosovës në finalen e luajtur në Turqi

  • S.A /
  • 21 January 2023 - 15:01
Ballkani e  mposhti Llapin 1:0, e fiton Superkupën e Kosovës në finalen e luajtur në Turqi

Ballkani e ka fituar Superkupën e Kosovës, pasi shënoi fitore minimale 1-0 ndaj Llapit, përcjell "Kosova Sot Online". 

Ndeshja që u luajt në stadiumin “Titanic Futbol Center” në Belek të Turqisë, nisi me një kujdes të shtuar nga të dy skuadrat. Derisa tentuan të shfrytëzonin gabimet e njëra-tjetrës, kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës pati një avantazh numerik.

Nga minuta e 28-të e ndeshjes, Llapi mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi Bekim Maliqi u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve në ndërhyrjen ndaj Nazmi Gripshit.

Skuadra nga Suhareka nuk ia doli ta shfrytëzonte këtë epërsi numerike në pjesën e parë, por e bëri në të dytën.

Ishte minuta e 62-të e takimit, kur Armend Thaqi e gjeti për mrekulli Lumbardh Dellovën, që realizoi me kokë për 1-0.

Duke qenë në avantazh si me rezultat dhe me lojtarë, Ballkani e dominoi takimin deri në fund, derisa Gripshi lëshoi një mundësi të mirë shënimi.

Suharekasit lëshuan edhe raste të tjera shënimi, por që në fund ia dolën ta ruanin epërsinë, për ta fituar trofeun e parë për vitin 2023 edhe pse në sekondat e fundit të takimit pati përplasje mes të dyja kampeve – por që kaloi shpejt, me gjyqtarin që e mbylli ndeshjen menjëherë.

Kujtojmë se Llapi ishte kampion në fuqi i Superkupës së Kosovës, por që Ballkani e rrëzoi nga froni. 

(Kosova Sot Online )