Menaxherë italianë të futbollit në Kosovë në kërkim dhe të talentëve të këtushëm

  • S.A /
  • 07 February 2023 - 09:08
Menaxherë italianë të futbollit në Kosovë në kërkim dhe  të talentëve të  këtushëm

Tash e dy muaj rresht, tri gjenerata të futbollit nga mbarë Kosova 2006, 2007 dhe 2008, po përgatiten për një turne shumë prestigjioz dhe i fortë që do të mbahet nga 20 deri me 25 shkurt në Milano të Italisë, ku pjesëmarrëse do të jenë skuadrat si: Milan, Inter, Juventus, Roma, Dortmund, Napoli, Salernitana, Helsinborg apo Helsinki.

Trajneri Adrian Mërkoja me ndihmësit e tij Artor Shala dhe Naim Krasniqi, po përgatisin me përkushtim të madh talentët e këtyre grupmoshave në fushën e klubit të Kosovës së Prishtinës në Shkabaj, nën mbikëqyrjen e dy menaxherëve shumë të njohur nga Italia, Andrea D’amico dhe Marcelo Daviddi, të cilët do të vijnë në Prishtinë me 13 shkurt për të bërë përzgjedhjen finale të atyre që do të udhëtojnë në Itali.

Nga secila gjeneratë e cila ndërtohet nga pothuajse të gjitha (klubet apo shkollat) e futbollit nga mbarë Kosova, do të udhëtojnë në Itali nga 20 lojtarë, që futbollin kosovarë ta prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj klubeve të njohura italiane dhe jo vetëm.

Këta menaxherë që merren ekskluzivisht me talentët e rinj e tash në fokus nga Kosova, do t’ua mundësojnë këtyre futbollistëve që të dëshmohen në këtë turne të fortë, kurse për çdo interesim eventual të ndonjë klubi të huaj për këta futbollistë që do të mundë të lënë mbresa në mëdha atje, apo edhe vetë Marcelo Daviddit që është njeriu kryesor i Empolit, dera e Evropës do të jetë e hapur dhe shumë më e shpejtë.

Duhet theksuar se z.Mërkoja dhe Shala të cilët ishin në një turne të madh në Itali (Lamezia) gjatë muajit nëntor 2022, me gjeneratat 2011 duke e zënë vendin e dytë në mesin e 32 skuadrave, kanë arritur një marrëveshje shumë interesante dhe për herë të parë që ka ndodh në vendin tonë, të dërgojnë dy lojtarë të rinj për të luajtur për klubin e Milanos në një turne që do të mbahet pas pak ditësh në Romë.

Pra, klubet italiane marrin futbollistë nga Kosova për të  luajtur për ta.

Të gjitha shpenzimet e futbollistëve që shkon në 60 numri i tyre, do të jenë të mbuluara nga këta menaxherë, kështu që mundësitë e talentëve tanë tashmë janë shumë të mëdha në këtë lidhje të madhe që kanë bërë trajnerët tanë me menaxherët italianë.  

(Kosova Sot Online )