Legjenda Bllazheviq gjithnjë kishte kujtime me respekt për kosovarët: Në Kosovë isha si një hero, e kam kaluar periudhën më interesante të karrierës

  • S.A /
  • 08 February 2023 - 10:24
Legjenda Bllazheviq gjithnjë kishte kujtime me respekt për kosovarët: Në Kosovë isha si një hero, e kam kaluar periudhën më interesante të karrierës

Qiro Bllazheviq konsiderohet si trajneri më i mirë që e ka pasur FC Prishtina ndonjëherë. Trajneri legjendar kroat e kishte drejtuar ekipin kosovar drejt periudhës më të artë që e ka pasur ndonjëherë ky klub, përcjell "Kosovca Sot Online ".

Trajneri kroat, i cili ndërroi jetë sot, i kishte udhëhequr Bardhekaltrit në mes viteve të 89-ta, në sezonin kur prishtinasit po garonin në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë. Ai e kishte shpëtuar Prishtinën pa rënë nga liga dhe ishte bërë një hero në vendin tonë. E këtë periudhë, Bllazheviq e kishte shijuar tej mase, sa që e ka veçuar si më interesanten në karrierën e tij shumë të gjatë. “Vërtetë ishte një aventurë, pasi karriera ime ka zgjatur shumë. Por, kur më pyesin se cila periudhë ishte më e mira për mua, unë them se më interesantja ishte në Kosovë. Vetë fillimi ishte i çuditshëm, pasi unë me Grasshoppersin kisha fituar titullin”, kishte deklaruar Bllazheviq në një intervistë të dhënë në vitin 2020, ndërsa e kishte pranuar se kosovarët kanë mbetur në zemrën e tij.

Ai e kishte kujtuar kohën kur ishte bindur që ta linte klubin zviceran për të përfunduar në Kosovë.

“Unë e di çka është besa, por në fillim nuk i kam marrë seriozisht. Insistimi i tyre se vetëm unë mund t’iu ndihmoja që mos të binin nga liga, i solli disa dyshime në mendimet e mia. Në fund pranova dhe nuk jam penduar”, kishte thënë Blazheviq.

Ai kishte bërë shumë miq në Kosovë, të cilët nuk e kanë harruar atë edhe sot e asaj dite.

“Ne trajnerët varemi edhe nga rrethanat. Atëherë të gjithë ishin në këmbë dhe është jetuar për atë që Prishtina të shpëtojë. Unë kam ardhur si një lloj ylli, pasi e kisha fituar titullin me Dinamon në vitin 1982. Pritjet ishin shumë të mëdha që do t’i shpëtoja nga rënia prej ligës. Mund të mendoni tani, 35 mijë njerëz vazhdimisht ishin në stadium e po aq jashtë tij. Ishte një eufori e futbollit që nuk harrohet. Ne trajnerët gjithnjë e dëshirojmë një atmosferë të tillë, klimë të tillë. E çfarë klime kanë krijuar për mua miqtë e mi, është e paharruar”, kishte nënvizuar ai tutje.

Ai e ka kujtuar edhe kohën kur tifozët e kishin bartuar në krahë nga stadiumi e deri në Hotel Grand, aty ku ishte akomoduar në periudhën sa po punonte në Prishtinë.

“Më kanë hedhur në ajër te Hoteli Grand aq sa të arrija në katin e dytë. Tereza Kesovija, të cilën e kam ftuar që të nis topin nga mesi , ishte në dritare në katin e dytë, ndërsa tifozët më hidhnin mua. Kur e ka parë se si po fluturoj ka mbetur e shokuar. Është një prej momenteve që i kam përjetuar në Kosovë. Në çdo vend atje kam ndjerë shumë dashuri. Ndërsa ne trajnerët varemi nga rezultatet. Kur i ke atëherë je njëshi, kur nuk i ke mbledh plaçkat dhe ik”, kishte thënë tutje Qiro, i cili i kishte kujtuar edhe momentet e para kur kishte zbarkuar në Prishtinë.

“Kam arritur në 3 të mëngjesit dhe mijëra njerëz më kanë pritur. Të gjithë kanë besuar se me ardhjen time Prishtina do të shpëtojë. Nuk ishte lehtë të përballohej ai presion. Kur pritjet janë të mëdha për shkak të renomesë dhe kredibilitetit, atëherë duhet të përgatitesh mirë për të arsyetuar pritjet. Nuk ishte fitore e futbollit. Ishte fitore nacionale, ashtu e kanë pranuar ata”, kishte thënë në fund Blazheviq. 

(Kosova Sot Online )