Yakin i prerë: Granit Xhaka është dhe do të jetë kapiten i Zvicrës

  • S.A /
  • 11 February 2023 - 08:32
Yakin i prerë: Granit Xhaka është dhe do të jetë kapiten i Zvicrës

Murat Yakin ka konfirmuar se Granit Xhaka do të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës, përcjell "Kosova Sot Online".

Pas eliminimit të Zvicrës nga Kupa e Botës “Katar 2022”, me një humbje turpëruese 6:1 ndaj Portugalisë, nisi një debat edhe rreth futbollistit që duhet të mbajë shiritin e kapitenit.

Xhaka mori disa kritika, por atij tashmë i ka dalë në krahë Yakin. Përzgjedhësi i Zvicrës në një intervistë të dhënë së fundmi për “Blick” konfimroi se mesfushori i Arsenalit është i duhuri për të qenë kapiten te ekipi që ai drejton.

“Dua ta bëjë të qartë këtu që Graniti është dhe do të jetë kapiteni ynë. Nuk ka tjetër. Ai është kapiteni i duhur, udhëheq ekipin dhe është lider në fushë. Lojtarët i besojnë atij dhe e mbrojnë atë. Nuk ka diskutime”, ka thënë Yakin.

Njëri nga kritikuesit e Xhakës ishte komentatori nga SRF, Sascha Ruefer. Për të kishte edhe Yakin një kundërpërgjigje.

“Kritikat e Rueferit kanë shkuar shumë larg. Ato i llogaris edhe si sulme ndaj meje, pasi unë vendos se kush është kapiteni ynë. Është mirë që ai si komentator nuk mund të vendos se kush është kapiteni i ekipit nacional. Dhe është po ashtu mirë që unë si selektor nuk mund të vendosi se kush do të komentojë ndeshjet tona në televizionin zviceran”, tha 46-vjeçari. Në pyetjen se “A po kërkoni tani që t’i hiqet mikrofoni Rueferit?”, Yakin tha: “Jo, kjo nuk është puna ime. Por, nuk do të lejoj askënd të më thotë se kë të bëj kapiten. Kjo do të shkonte shumë larg”. Ndryshe, Granit Xhaka numëron 111 paraqitje në total me Zvicrën. Tash e disa vite me radhë, ai vlerësohet si një prej futbollistëve kryesorë te Zvicra. Vlen te përmendet se 30-vjeçari së fundmi u shpall lojtari më i mirë për vitin 2022 në Zvicër.

(Kosova Sot Online )