Napoli i Amir Rrahmanit i pathyeshëm, 9 fitore rresht në shtëpi dhe +16 pikë ndaj Interit

  • S.A /
  • 13 February 2023 - 10:29
Napoli i Amir Rrahmanit i pathyeshëm, 9 fitore rresht në shtëpi dhe +16 pikë ndaj Interit

Napoli nuk e ka ndërmend të ndalet. Amir Rrahmani me shokë janë bërë të pathyeshëm këtë sezon në Serie A, mbi të gjitha kur të luajnë në shtëpi. Napolitanët e regjistruan mbrëmë fitoren e nëntë radhazi në shtëpi në kampionat këtë sezon, shkruan “Kosova Sot Online ".

Ata e mposhtën pa problem Cremonesen me rezultat 3:0 falë golave të Kvaratskhelia, Osimhen e Elmas.

Kjo ishte seria më e gjatë e fitoreve radhazi në shtëpi për Napolin që nga sezoni 1989-90, kur edhe e kishte fituar titullin e kampionit në Itali për herë të fundit.

Napoli i iku me këtë rast Interit me 16 pikë, edhe pse “Nerazzurri” e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Napolitanët i kanë regjistruar 19 fitore, 2 barazime 1 humbje, statistika impresionuese këto.

Sidoqoftë, Rrahmani me shokët e tij janë favoritë absolutë për ta rikthyer titullin e kampionit në Napoli pas pritjes prej më shumë se tri dekadash.

(Kosova Sot Online )