Futbollistët rus dhe ata ukrainas përleshen ashpër në një hotel në Turqi

  • S.A /
  • 14 February 2023 - 14:37
Futbollistët rus dhe ata ukrainas  përleshen ashpër në një hotel në Turqi

Një përleshje mes futbollistëve të skuadrës ruse, Shinnik dhe të asaj ukrainase, Minai, ka shpërthyer mbrëmjen e kaluar në një hotel të Antalyas në Turqi, ku ekipet janë akomoduar për ta kaluar fazën përgatitore.

Lajmin e ka bërë të ditur kanali rus “RBK”, duke shtuar se ky fakt është konfirmuar nga menaxhmenti i hotelit Royal Seginus për agjencinë “Ria Novosti”. Edhe skuadra ruse e ka konfirmuar atë që ka ndodhur mbrëmë.

Nuk është e qartë se si ka nisur përleshja.Për një moment, personeli i hotelit ka arritur ta ndalonte përleshjen dhe t’i qetësonte lojtarët që u vunë në kontakt fizik. Më psa, nuk dihet se si, por një grup lojtarësh ukrainas janë gjendur në ashensor me një lojtar të skuadrës ruse dhe e kanë rrahur keq. Kur është hapur porta e ashensorit, aty janë gjendur disa lojtarë rusë dhe më pas ka shpërthyer përleshja masive. Sipas kanalit “Telegram Mutko Protyev”, lojtari rus Ilya Gruznov ka pësuar thyerje të brinjve, kurse një tjetër, Dmitry Samoilov, e ka thyer gishtin.

Drejtori gjeneral i Shinnik, Serghei Kulakov ka thënë për “Ria Novosti” se klubi rus nuk arrin ta kuptojë se si dy skuadra mund të ambientohen në të njëjtin hotel.

“E kemi rezervuar hotelin në nëntor të vitit të kaluar dhe dëshironim që të mos kishte futbollistë ukrainas aty, për t’i evituar konfliktet. Unë e kuptoj biznesin, paratë dhe krejt pjesën tjetër, por siguria vjen në rend të parë”, ka thënë ai.

Rusia dhe Ukraina janë në luftë qe gati një vit dhe kjo ka reflektuar edhe tek lojtarët, sidomos tek ata ukrainas, të cilët po pushtohen nga agresioni i presidentit rus, Vladimir Putin. 

(Kosova Sot Online )