Sonte në ekranet e futbollit një përballje titanësh: Liverpool – Real

  • S.A /
  • 21 February 2023 - 09:07
Sonte në ekranet e futbollit  një përballje titanësh: Liverpool – Real

Liga e Kampionëve do të rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet tjera të së tetës së finales. Dueli kryesor i natës së sontme është ai mes dy gjigantëve të futbollit evropian, Liverpool dhe Real Madrid, shkruan "Kosova Sot Online".

“Reds” do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendës për ta krijuar një epërsi solide në duelin e parë më madrilenët. Ata duan t’i japin fund serisë negative me “Los Blancos” pasi nuk kanë fituar ndaj tyre në gjashtë duelet e fundit, duke barazuar një herë dhe duke i pësuar pesë humbje.

Reali ndërkohë do ta bëjë udhëtimin e katërt në “Anfield” për t’u përballur me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve.

Spanjollët e kishin humbur lojën e parë në mars 2009, 0:4, ndërsa më pas nuk kishin pësuar gol në dy ballafaqimet e radhës në Angli: fituan 3:0 në tetor 2014 dhe barazuan pa gola në prill 2021.

Reali ka kujtime mjaft të mira me Liverpoolin pasi e kishte mundur atë në dy përballjet e tyre të fundit në finale të Ligës së Kampionëve, më 2018 dhe 2022.

Të dyja ekipet synojnë të kalojnë tutje dhe të arrijnë deri në fund, për a fituar këtë trofe.

Ekipet nuk kanë ndonjë mungesë të madhe.

Ndërkohë, dueli tjetër i natës do të jetë ai mes Eintracht Frankfurtit dhe Napolit.

Amir Rrahmani me shokë e patën një përvojë të jashtëzakonshme në fazën e grupeve, ku ishin perfektë.

E tash, ata do të mundohen ta vazhdojnë këtë seri pozitive edhe në fazën eliminuese.

Napolitanët janë në formë të shkëlqyeshme edhe në kampionatin italian, prandaj janë optimistë se do të bëjnë mirë edhe në këtë fazë të Championsit.

Të dy këto ndeshje do të fillojnë në orën 21:00.

(Kosova Sot Online )