Ja cilat denime parasheh Kodi penal dhe FFK-ja për kurdisje të ndeshjeve në futboll

  • S.A /
  • 24 February 2023 - 14:33
Ja cilat denime parasheh  Kodi penal dhe FFK-ja për kurdisje të ndeshjeve në futboll

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një deklarate sot konfirmoi se ka filluar ta trajtojë rastin skandaloz që shpërtheu në Francë në lidhje me kurdisjen e ndeshjeve futbollistike në Superligën e Kosovës.

Mediat franceze raportuan se autoritetet e Francës i kanë arrestuar 9 persona të dyshuar për përfshirje në këtë krim, ndërsa zbuluan se bëhet fjalë për trukimin e katër ndeshjeve të kampionatit kosovar, në të cilat protagonist ishte Llapi, si përfitues i 360 mijë eurosh nga bastet, shkruan "Kosova Sot Online ".

Kjo bëri që edhe autoritetet në Kosovë ta nisin aksionin e hetimit të këtij rasti, kurse Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) përmes një deklarate theksoi se është e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë në këtë proces. Por, çfarë dënimesh parashihen nga ligjet e Kosovës për kurdisje të ndeshjeve sportive kur ato vërtetohen nga organet gjegjëse? 

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që merret vesh për rezultatin e sportit ose garës me qëllim që të përfitojë vet ose për tjetrin përfitim material dënohet me gjobë e po ashtu prej 6 muajsh deri në 3 vjet burgim.

Nëse fitimi e tejkalon shumë prej 15 mijë eurosh, atëherë kryesi i dënohet me gjobë dhe me dënim me burg prej 2 vjetësh deri në 10 vjet.  

Përpos kësaj, dënime parasheh edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për klube dhe persona të përfshirë në kurdisje.

Sipas Rregullores Disiplinore të FFK-së,  një klub që kurdis ndeshje mund të dënohet nga heqja e 9 pikëve e deri te dënimi me të holla nga 1 mijë euro deri në 10 mijë euro. Dënimi tjetër i mundshëm është largimi nga rangu përkatës garues dhe me gjobë prej 1 mijë euro deri në 10 mijë euro.

Kurse, lojtarë, trajnerë, zyrtarë klubesh, gjyqtarë që eventualisht përfshihen në kurdisje mundë të dënohen deri me dënim maksimal, me ndalesë kryerje funksioni apo përjashtim nga organizata e futbollit.

Kurse, dënimet më të vogla për lojtarë janë ndalesa pre 3 muaj deri në 1 vit, kurse zyrtarë të klubeve apo gjyqtarë të përfshirë në kurdisje mund të dënohen nga 1 vit deri në 2 vjet.

(Kosova Sot Online )