Sonte zhvillohet mbrëmja e madhe e yjeve, Bayern dhe Parisi për në çerekfinale

  • S.A /
  • 08 March 2023 - 16:34
Sonte zhvillohet mbrëmja e madhe e yjeve,  Bayern dhe Parisi për  në çerekfinale

Mbrëmja e kësaj të mërkure rezervon të tjera emocione dhe spektakël të garantuar në Champions League pasi në fushë do të zbresin yje të futbollit europian. Vëmendja është te supersfida Bayern-Paris, ku vetëm njëra skuadër do të sigurojë kalimin më tej. Bavarezët fituan ndeshjen e parë me rezultatin minimal 1-0, çfarë lë gjithçka të hapur në “Alianz Arena”.

Mungesat te Bayern janë ata të zakonshmit, Neuer, Pavard e Hernandez, ndërsa parisienët do të vuajnë mungesën e Neymar, që është dëmtuar në ligament dhe me shumë gjasa ka mbyllur këtu sezonin me parisienët.

Një ndeshje që premton një lojë të bukur, të fortë dhe më një rivalitet deri në sekondën e fundit. Messi e Mbappe kërkojnë me ngulm përmbysjen e madhe dhe pse jo shpresojnë për biletën për në çerekfinale.

Nga ana tjetër, Milan luan përballë Tottenham në Londër. Kuqezinjtë kanë avantazhin e një goli pas fitores minimale në “San Siro”, megjithatë ende nuk kanë siguruar asgjë për ta kaluar më tej. Lajmi i mirë në kampin kuqezi është rikthimi i Giroud, por Pioli shpreson të ketë edhe Brahim Diaz, që doli i dëmtuar në sfidën e fundit ndaj Fiorentinës, ndërkohë në stërvitjen e fundit ishte i pranishëm edhe Origi.

(Kosova Sot Online )