Kosova e pëson në shtëpi, e humbi ndeshjen e fortë me Bosnjë-Hercegovinën

  • S.A /
  • 09 March 2023 - 08:38
Kosova e pëson në shtëpi, e  humbi  ndeshjen e fortë me Bosnjë-Hercegovinën

Në praninë e afro 2000 shikuesve, në një ambient të bukur sportiv, Kombëtarja e Kosovës në hendboll i ka zhgënjuer adhuruesit e saj duke  humbur me rezultat minimal por të dhimbshëm, me Bosnjë-Hercegovinën.

Mysafirët nga Bosnja kanë fituar me rezultat 25:22, shkruan "Kosova Sot Online"

Ndeshja u luajt të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ndeshja ishte e fortë dhe e hapur thuajse deri në fund. Por cilësia, e sidomos përvoja në nivel të lartë e lojtarëve të Bosnjës, ka bërë dallimin.
Lojtarët tanë kanë dhënë maksimumin e në raste edhe janë djegur nga dëshira e madhe për sukses. Angazhimi nuk ka munguar nga fillimi e deri në fund, por që këtë herë nuk mjaftoi.

Mysafirët nga Bosnja kanë nisur më mirë ndeshjen duke krijuar epërsi deri në shtatë gola në pjesën e parë. Djemtë tanë megjithatë u kthyen në lojë dhe afruan rezultatin në 14:10, me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Pjesa e dytë nisi shumë mirë për Kombëtaren tonë. Sulmet ishin më efikasr e mbrojtja më e fortë. Në minutën e 40-të, barazuam rezultatin në 16:16 e më pas kaluam në epërsi 17:16. Golin e epërsisë e shënoi Egzon Gjuka në minutën e 42-të. Por më pas Kombëtarja jonë pati krizë në lojë, kryesisht për meritë të nivelit të kundërshtarit. Bosnja u shkëput në 23:17 dhe më pas ia doli ta mbajë epërsinë deri në fund.

Drenit Tahirukaj ishte më efikasi te Kombëtarja jonë me 5 gola. Nga 4 i shënuan Drilon Tahirukaj e Egzon Gjuka. Haris Berisha i kishte pesë pritje, kurse Flamur Gërbeshi i kishte tri pritje.

Kombëtarja tani i kthehet ndeshjes në udhëtim me Bosnjë-Hercegovinë. Ndeshja luhet në Tuzlla, të dielën.

Për të përkrahur nga afër kombëtaren tonë, në palestër ishte kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendministrja Daulina Osmani.

(Kosova Sot Online )