Edhe ky klub i njohur ia mësyn Vedat Muriqit

  • S.A /
  • 21 March 2023 - 12:58
Edhe ky klub i njohur ia mësyn Vedat Muriqit

Vedat Muriqi është duke shkëlqyer  pa u ndalur në futbollin spanjoll, prandaj është vazhdimisht në shënjestër të klubeve që synojnë ta kenë në radhët e tyre, shkruan "Kosova Sot Online".

Sulmuesi kosovar i ka realizuar 10 gola në 23 ndeshje me Mallorcan, ku është bërë lider absolut. Mirëpo, prizrenasin nuk e kanë harruar ende turqit, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Sipas mediave turke, Fenerbahçe po mendon ta bëjë një transfer “bombë” për sezonin e ardhshëm, shkruan mediumi turk “sporundibi”, përcjell “Kosova Sot Online".

Klubi nga Stambolli e kishte shijuar në maksimum eksperiencën e Muriqit, ndërsa do të mundohet ta marrë përsëri ish-futbollistin e Lazios, të cilët ia kishte shitur për afro 20 milionë euro.

Presidenti i klubit, Ali Koç po punon në atë drejtim që ta rikthejë në Stamboll përfaqësuesin kosovar. Muriqi ka kontratë afatgjate me Mallorcan, ku ndihet mjaft i lumtur dhe i dashur për tifozët e klubit ishullor spanjoll. Por, kohëve të fundit po spekulohet se interesim për “Piratin” kanë shfaqur klubet e Premierligës, të La Ligas dhe nga Serie A. E në “valle” tash duket se është futur edhe Fenerbahçe, e cila synon ta rikthejë Muriqin në Stamboll pasi dështoi me zgjedhjen e sulmuesve në sezonet e fundit. Për sulmuesin shtatlartë, i cili shkëlqeu në kampionatin spanjoll edhe në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, kur e shpëtoi Mallorcan pa rënë nga liga, klubi spanjoll i kërkon 20 deri në 30 milionë euro. Muriqi i kishte zhvilluar 32 ndeshje me Fenerbahçen, duke i realizuar 15 gola dhe i kishte bërë 6 asistime. 

(Kosova Sot Online )