ZYRTARE: Agim Ademi në mbajtje për 48 orë

  • S.A /
  • 22 March 2023 - 15:53
ZYRTARE: Agim Ademi në mbajtje për 48 orë

Agim Ademi do të qëndrojë në mbajtje për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikatë të lëshuar për media pasditen e sotme, transmeton "Kosova Sot Online".

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte ftuar sot për t’u intervistuar për disa dyshime për vepra penale që e ngarkojnë. Paraprakisht, dje ishte intervistuar edhe drejtori i financave në Federatën e Futbollit të Kosovës, Agim Gashi, i cili pas marrjes në pyetje ishte liruar.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën dhe vendimin e Prokurorisë, e cila i zbuloi edhe pistat e hetimit ndaj kreut të FFK-së:

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”.

(Kosova Sot Online )