Zvicra përmes Serbisë me Xhakën do ta nisë rrugën drejt kualifikimit në Euro 2024

  • S.A /
  • 25 March 2023 - 13:07
Zvicra  përmes Serbisë me Xhakën do ta nisë rrugën drejt kualifikimit në Euro 2024

Zvicra do ta nisë sonte rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin e ardhshëm Evropian. “Helvetikët” do të nisin gjithçka nga Serbia, ku do ta nisin këtë kampanjë kualifikuese, transmeton "Kosova Sot Online".

Trupa e Murat Yakin do të luajë në Novi Sad me Bjellorusinë, në nismë të eliminatoreve për Euro 2024. Zviceranët kanë zbarkuar mbrëmë në Beograd, ndërsa Granit Xhaka e pati një përcjellje speciale, duke e pasur parasysh se nuk është personi më i dëshiruar në tokën serbe.Kontingjenti serb është vendosur në periferi të Novi Sadit, qytet ky që për momentin është i qetë dhe nuk ka shenja të ndonjë incidentit eventual, përkundër frikës që e kishin zviceranët.

E sa i përket fushës së blertë, “Helvetikët” shihen si favoritë për ta fituar duelin e sontëm, por edhe krejt Grupin I të eliminatoreve të Evropianit të Gjermanisë, ku bën pjesë edhe Kosova, krahas Rumanisë e Andorrës.

Xhaka do të mundohet t’i udhëheq zviceranët, ndërsa dy futbollistët tjerë kosovarë, Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri, mungojnë shkaku i lëndimit. Bjellorusët e zgjodhën Serbinë për të luajtur me Zvicrën pasi UEFA ua ka ndaluar të luajnë si vendës në territor të tyre pas përfshirjes indirekte dhe ndihmës që ia dha ky shtet Rusisë në luftën në Ukrainë, transmeton "Kosova Sot Online". Madje, me kërkesë të eurodeputetëve, UEFA po e shqyrton mundësinë ta përjashtojë krejt nga garat evropiane Bjellorusinë. Ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës do të fillojë në orën 18:00

(Kosova Sot Online )