PSG-ja s’mund t’i mbajë Messin e Ramosin me rrogat aktuale

  • S.A /
  • 30 March 2023 - 14:14
PSG-ja s’mund t’i mbajë Messin e Ramosin me rrogat aktuale

Paris Saint-Germain po mendon ta lë të largohet si lojtar i lirë Lionel Messi gjatë verës që vjen, raportojnë mediat franceze. Ylli argjentinas ka shfaqur formë të mirë këtë sezon duke i realizuar 18 gola në 32 ndeshje me parisienët. Mirëpo, gjiganti francez është goditur nga “Fair-Play” financiar në shtator dhe ishte dënuar me rreth 9 milionë euro, ndërsa mund të dënohet edhe me 60 milionë të tjerë nëse vazhdon të mos e respektojë korrektësinë financiare. Messi paguhet 840 mijë euro në javë dhe bashkëlojtari i tij, Sergio Ramos, 37 vjeç, ka po ashtu një rrogë të madhe, ndërsa raportohet se klubi po mendon t’i lë që të dy të lirë në fund të këtij sezoni, kur edhe do t’ju skadojnë kontratat.

Mediumi i njohur francez “L’Equipe” raporton se klubet nga Arabia Saudite janë të gatshëm t’i hapin kuletat për t’i joshur të dy me rroga të majme. PSG-ja i ka nisur negociatat për vazhdimin e kontratës me të dy lojtarët, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Raportohet se kampioni francez dëshiron t’i mbajë Messin e Ramosin në skuadër, por që nuk mund t’i paguajë njëjtë si tash. Pra, nëse ata do të pranojnë shkurtim pagash, mund të qëndrojnë edhe një vit në “Parkun e Princave”. Klubi arab Al-Hilal ia ka vënë syrin Messit dhe thuhet se është vënë në kontakt me babanë/menaxherin e tij, Jorge Messi. Kurse, veterani spanjoll i mbrojtjes raportohet se ka marrë ofertë me një rrogë katër herë më të madhe se ajo që e merr në PSG, për një kontratë dyvjeçare në Lindjen e Mesme.

Ramos i ka zhvilluar 36 ndeshje në të gjitha garat në këtë sezon, duke treguar shenja të “kthimit në jetë”, pasi e kaloi një sezon të mbushur me lëndime dhe me formë të zbehtë vitin e kaluar, në sezonin e tij të parë në Paris.

(Kosova Sot Online )