Stadiumi Kombëtar, Bylbyl Sokoli vjen me një ide ndryshe

  • S.A /
  • 30 March 2023 - 14:28
Stadiumi Kombëtar, Bylbyl Sokoli vjen me një ide  ndryshe

Ndonëse ndeshjet për kualifikim në kampionatin evropian “Euro 2024” kanë filluar, ku tashmë kombëtarja kosovarë ka zhvilluar dy takime me rezultate të barabarta, Kosova ende nuk ka një stadium nacional për t'i zhvilluar ato, përveç atij “Fadil Vokrri” në Prishtinë, transmeton "Kosova Sot Online".

Trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli, thotë se është më mirë që i njëjti të rinovohet dhe përshtatet për ndeshje ndërkombëtare deri në 15.000 shikues, teksa nga ana tjetër të ndërtohen edhe disa stadiume në qendra më të mëdha të Kosovës në vlerë prej 7-8 milonë dhe me kapacitete deri në 6.000 shikues.

“Para se të ndërtohet stadiumi kombëtar duhet të bëhen analizat e duhura për ndërtim… Nr. I banorëve , Mirëmbajtja e objektit,  Nr. I sportistëve… Më pas të caktohet lokacioni i ndërtimit ( edhe këtu duhet me marrë parasysh shumë faktor). A e kemi luksin qe të ndërtojmë një stadium me vlera 50-60 milon Euro,kur Kosova nuk ka shtëpi të futbollit sikurse shumica e shteteve në regjion. Më mirë të ndërtohen disa stadiume në qendra më të mëdha të Kosovës në vlerë prej 7-8 milionë dhe me kapacitete deri në 6.000 shikues.  Kurse stadiumi Fadil Vokri të rinovohet dhe përshtatet për ndeshje ndërkombëtare deri në 15 .000 shikues”, ka thënë Sokoli për Syri.net Kosova.

Sokoli, tutje thotë se stadiumet e përmendura janë propozuar pa as edhe një analizë të duhur dhe pa patur parasysh koston e mirëmbajtjes, që sipas tij, mund të jetë e papërballueshme për një shtet si Kosova.

E për këtë, fajin ia lë ngecjeve në institucionet shtetërore, derisa merr shembullin e gjendjes së stadiumit “Adem Jashari”, për të cilin thotë se sot askush nuk përgjigjet për situatën në të cilën është një stadium me emër të heroit tonë kombëtar .

“Stadiumet që janë përmend janë propozuar pa bërë analiza të  duhura dhe pa pas parasysh as koston e mirëmbajtjes e cila mund të jetë e papërballueshme për një shtet të vogël çfarë është Kosova. Vlera e stadiumit të propozuar, pa kurrfarë analizash , pa diagnostifikim dhe vetëm pse i ka ra ndërmend dikujt dëshmon se kemi shumë ngecje në institucione shtetërore ….Shikoni si duket stadiumi, Adem Jashari ku dikur ka luajtur Jugosllavia 25 milionëshe. Në stadiumin Adem Jashari, është investua dy e me shumë here në rinovim dhe atë në vlera disa milionshe. Dhe sot askush nuk përgjigjet për gjendjen në të cilën është një stadium me emër te heroit tonë Kombëtar”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online )