Sonte fillon faza e “play-offit”, Ylli e kërkon titullin e tretë radhazi

  • S.A /
  • 05 April 2023 - 10:26
Sonte fillon  faza e “play-offit”, Ylli e kërkon titullin e tretë radhazi

Sonte do të nisë faza e “play-off”-it në Superligën e basketbollit. Golden Eagle Ylli do ta nisë rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit të kampionit të Kosovës, të cilin e fitoi në dy sezonet e fundit, transmeton "Kosova Sot Online".

Therandasit e duan titullin e tretë radhazi, por fillimisht duhet t’i kalojnë disa pengesa. Ekipi nga Suhareka do të përballet me Vëllaznimin në çerekfinale të fazës eliminuese. Yllit i nevojiten dy fitore ndaj gjakovarëve për ta prekur gjysmëfinalen, aty ku do ta presë Peja.

Dhe, nëse e eliminon edhe ekipin Verdhezi, ekipi therandas më pas do ta kërkojë trofeun në finalen e madhe.

Ndërkohë, Kuqezinjtë do ta kërkojnë mrekullinë në çerekfinale, edhe pse janë të vetëdijshëm se kundërshtari është më cilësor dhe më i fuqishëm. Për Vëllaznimin, kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në “play-off”.

Sfida mes Yllit dhe Vëllaznimit do të fillojë në orën 20:00.

Kurse, nesër mbrëma do të luhet një tjetër ndeshje e “play-offit”, Trepça – Bashkimi.

(Kosova Sot Online )