Hendbollistet e Kosovës e premtojnë maksimumin ndaj Polonisë sonte

  • S.A /
  • 12 April 2023 - 12:14
Hendbollistet e Kosovës e premtojnë maksimumin ndaj Polonisë sonte

Atmosfera në Kombëtaren e Kosovës në hendboll në prag të ndeshjes së dytë me Poloninë është shumë e mirë. Hendbollistet kosovare janë të përkushtuara që ta japin maksimumin në ndeshjen e vështirë me Poloninë, që do të zhvillohet sonte prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ndeshja i takon fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të këtij viti.

Javën e kaluar Kombëtarja jonë pësoi 36:22 në ndeshjen në Poloni.

Ditëve të kaluara është punuar që të përmirësohen gabimet e shfaqura në ndeshjen e parë, ndërsa në shtabin teknik janë të kënaqur me punën e bërë.

Edhe hendbollistet janë optimiste për paraqitje të denjë, ndërsa kanë premtuar luftë sportive nga fillimi e deri në fund për të prezantuar sa më mirë ngjyrat e shtetit.

Cilësia e Polonisë nuk kontestohet, por me përkrahje nga tribunat rezultati pozitiv është më i mundshëm për “Dardanet”.

Me arritje në fazën e dytë kualifikuese për Botëror, Kombëtarja jonë ka regjistruar sukses historik.

Tani lojtaret tona llogaritin në përkrahje të zëshme nga tribunat për të konfirmuar ngritjen e madhe të bërë në vitet e fundit.

(Kosova Sot Online )