Muriqi ambicioz, synon ta fitojë Kupën e Spanjës dhe ta dërgojë Mallorcan në Evropë

  • S.A /
  • 17 April 2023 - 13:46
Muriqi ambicioz, synon ta fitojë Kupën e Spanjës dhe ta dërgojë Mallorcan në Evropë

Vedat Muriqi e ka marrë në dorë ekipin e Mallorcas, të cilin po e drejton me sukses në dy sezonet e fundit, transmeton "Kosova Sot Online". 

Në edicionin e kaluar, ai iu bashkua ekipit spanjoll në pjesën e dytë në formë huazimi nga Lazio dhe i ndihmoi ishullorët të mbeteshin në La Liga. Kurse, në këtë sezon po ashtu po vazhdon me formë të shkëlqyeshme duke e udhëhequr Mallorcan drejt një pozite të qëndrueshme.

28 vjeçari i ka realizuar 12 gola dhe i ka bërë dy asistime në 28 ndeshje të zhvilluara në ligën elitare spanjolle.

Përfaqësuesi kosovar ka kontratë me Mallorcan deri më 30 qershor të vitit 2027.

Dhe, ai po mendon ta respektojë këtë kontratë përkundër ofertave që po i vijnë kohë pas kohe nga klubet tjera spanjolle dhe nga ato angleze. “Nuk është sekret se ofertat vijnë tek menaxheri im, por ideja ime është të qëndrojë këtu deri në fund të kontratës sime. E kam gjetur vendin tim. Po luaj, po shënoj dhe kam bashkëlojtarë mjaft të mirë. Si futbollist dhe si person, nuk dua më shumë”, deklaroi fillimisht Muriqi për “Ultima Hora”. “Ideja ime është që ta ndihmoj Mallorcan të vazhdojë të luajë në La Liga dhe të futet në Evropë në vitet e ardhshme. Kjo do të ishte diçka e madhe. Kjo nuk ndodh gjithmonë dhe do të doja nëse klubi do të dëshironte ta bënte këtë me mua”, vazhdoi Muriqi. Prizrenasi ndërkohë e ka një ëndërr me klubin ishullor spanjoll. “Ta fitoj Kupën, realisht. Nuk dua të them se është e lehtë, por jemi më afër saj sesa të gjërave të tjera dhe do të ishte ëndërr ta fitoj Copa del Rey me Mallorcan”, nënvizoi ai.

Ai u ndal të flasë edhe me dështimin e transferimit në Club Brugge, duke e akuzuar klubin belg për mungesa profesionalizmi, ndonëse nga jashtë i dukej si një klub i madh, pasi belgët luajtën në Ligën e Kampionëve në këtë edicion.

(Kosova Sot Online )