Padituria dhe korrupsioni janë instaluar neper gjykatat e prokuroritë e Kosovës

Padituria dhe korrupsioni janë instaluar neper gjykatat e prokuroritë e Kosovës
Padituria dhe korrupsioni janë instaluar neper gjykatat e prokuroritë e Kosovës

Muhamet Kelmendi

  • 17 April 2023 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Sistemi juridik në Kosovë vazhdon të jetë nën ndikimin e grupeve të ndryshme informale dhe të jenë jo profesionale, të paditura dhe lehtë të manovruara. Natyrisht se këto mungesa i krijojnë mundësitë edhe të keq menaxhimit, të korrupsionit,të zgjatjes së procedurave dhe të kriminalitetit të organizuar. Pozita e tillë është në gjykatat e Kosovës, nëpër prokurori etj. Këtë e gjen edhe në polici, në administratë dhe në shumë organe të pushtetit në Kosovë.

-Shërimi i këtyre organeve me këtë gjendje është i vështirë dhe kërkon shumë kohë dhe mund. Vetëm në Policinë e Kosovës, në vitin 2022, janë hetuar mbi 257 punonjës policor dhe janë arrestuar 208 punonjës. Po në këtë vit, sipas të dhënave zyrtare, janë suspenduar ose janë në procedurë mbi 164 punonjës policor. Veprimet e tilla duhet përshëndetur. Kjo, po tregon se në polici po ka ende përgjegjësi. Mirëpo, gjendja është shumë e rëndë në gjykata dhe në prokuroritë e Kosovës.

Këtu vazhdon të mbizotëroj padituria, injoranca dhe kriminaliteti. Nga gjykatësit/et nuk ka dhënë deri më tash askush përgjegjësi! Nga KPK ka disa masa disiplinore dhe kalim nga një prokurori në një prokurori tjetër. Nuk kemi asnjë masë tjetër dënuese. As nga KGJ i Kosovës nuk kemi masa konkrete.

Askush nuk është akuzuar a dënuar. Nuk ka as masa disiplinore. Tamam sikurse në Kosovë të kemi 100% shtet ligjor.

Edhe nëpër administratë nga ajo e komunave dhe deri në nivel qendror zotëron injoranca dhe mos respekti. Ka edhe elemente të shpeshta të korrupsionit. Kuvendi dhe qeveria nuk po arrijnë të futin VETTING-un në këto organe. Rezistenca nga grupet e interesit është e lartë. Po vazhdon avazi i kohës së UNMIK-ut.

Njerëzit po maltretohen nëpër gjykata, në prokuroritë e vendit, në administratë dhe në polici. Gjendja e rëndë doli edhe nga Raporti vjetor i SHBA-së mbi Kosovën. Aty flitet për injorancë, korrupsion dhe padituri nëpër organet e Kosovës. Gjendja është e tillë dhe kërkon domosdo masa për ta shëruar. Nuk mund të tolerohen ofendimet, padituria dhe korrupsioni nëpër gjykata a prokuroritë e Kosovës. Sjelljet arrogante duhet ndaluar.

Kurrsesi nuk duhet lejuar sjelljet vulgare as në gjykata, as në prokurori , në administratë e në polici. Njerëzit nëpër këto organe nuk e kanë pronë private vendin e punës dhe zyrën ku gjendet, por janë në shërbim të qytetarëve, në pronën e tyre legjitime. Çka ka mbetur? Faktet tregojnë se mjeti i vetëm është VETTING-u. Nuk rregullohet gjendja me masa vetanake. Kosovës i duhet ligji për ta profesionalizuar pushtetin.

Të paditurit, ofenduesit, injorantët dhe kriminelët duhet të dërgohen në shtëpi. Pa përgjegjësi nuk ka pushtet demokratik.

Vetëm me VETTING shërohen organet pushtetit dhe të drejtësisë në Kosovë. Rrugë tjetër nuk ka.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".