Përfundon me minus, Kosova i mbyll kualifikueset e Evropianit me një tjetër humbje

  • S.A /
  • 24 April 2023 - 07:55
Përfundon me minus, Kosova i mbyll kualifikueset e Evropianit me një tjetër humbje

Kombëtarja U17 e Kosovës në volejboll i ka dhënë fund aventurës në Grupin E të raundit të dytë kualifikues, pas një suksesi historik duke arritur të kalojë për herë të parë një raund kualifikues të kompeticionit më prestigjioz evropian për këtë grupmoshë.

“Dardanet”, e udhëhequra nga legjenda e volejbollit botëror, Donald Suxho, në ndeshjen e fundit të Grupit E, në palestrën “1 Tetori” luajtën kundër Belgjikës dhe treguan një paraqitje tejet dinjitoze, pavarësisht disfatës me rezultat 3-0 (25-12, 25-16, 25-19), transmeton "Kosova Sot Online ".

Paraqitja në këtë kampionat ishte qartazi një ngritje e nivelit të lojës së vashave të reja dhe shpresave të së ardhmes të volejbollit kosovar, të cilat patën një ecuri historike të rezultateve pozitive, falë punës së trajnerit Suxho dhe stafit të tij që punoi zellshëm dhe fuqishëm në arritjen e këtyre rezultateve.

Vashat kosovare patën punë kundër një Kombëtareje favorite jo vetëm të grupit por edhe tërë Kampionatit Evropian, si Belgjika, megjithatë, arritën të japin emocione me lojën e fortë.

Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) përgëzoi ekipin Kombëtar U17 të Kosovës për paraqitjet brilante dhe emocionet që na sollën përgjatë këtij rrugëtimi kualifikues, ndërsa falënderoi stafin e trajnerëve për punën dhe përkushtimin e treguar.

(Kosova Sot Online )