Pas natës përrallore me katër gola ndaj Realit, flet heroi i Gironës

  • S.A /
  • 26 April 2023 - 09:04
Pas natës përrallore me katër gola ndaj Realit, flet heroi i Gironës

Victor Castellanos ndihet mjaft i lumtur me paraqitjen e paharrueshme që e bëri mbrëmë ndaj Real Madridit. Sulmuesi i Gironës i realizoi plot katër gola ndaj kampionit spanjoll, ndërsa u largua nga loja në minutën e 72-të me ovacione të larta pasi e “çmendi” paraprakisht publikun me paraqitjen e tij, transmeton "Kosova Sot Online".

“Ishte një natë ëndrrash, e bëmë një lojë të madhe ndaj njërit prej ekipeve më të mira në botë. Unë nuk e kam imagjinuar kurrë këtë. Jam duke e shijuar këtë moment me tifozët tanë, me njerëzit që më kanë mbështetur, familjen time, njerëzit në Argjentinë, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë dhe kjo është vendimtare”, deklaroi Castellanos pas lojës.

Sulmuesi argjentinas e fitoi “Këpucën e Artë” në MLS në vitin 2021 me 19 gola nga 32 ndeshje, por nuk ka luajtur kurrë për Kombëtaren argjentinase. Një vit më parë, Castellanos i kishte realizuar katër gola për New York Cityn kundër Real Salt Lake, por ta bësh të njëjtën gjë kundër kampionit evropian dhe botëror është diçka krejt tjetër. “Natyrisht, këto janë ditë tjera, ishte ëndërr të shënoja kundër Realit. Dhe, t’i shënosh katër gola, nuk mund as ta imagjinosh këtë. Jam i lumtur për gjithçka, për tifozët, për shokët e skuadrës”, vazhdoi Castellanos, i cili shkoi në kuotën e 11 golave në La Liga këtë sezon në 29 ndeshje. Sulmuesi ishte bërë viral në Spanjë kur e kishte humbur një mundësi të artë në barazimin 0:0 në “Camp Nou” në fillim të prillit, ndërsa pas lojës kishte qarë në dhomën e zhveshjes. Madje, e kishte mbyllur edhe llogarinë e tij pas lojës pas kritikave të disa tifozëve që i shkruanin online. I lumtur me paraqitjen e Castellanos ishte edhe trajneri i Gironës, Michel, pas paraqitjes përrallore të yllit të tij të ri. “Taty ishte mjaft i mirë në lojë, përpos golave që i shënoi. Jam i lumtur për të sepse pas lojës me Barçën dhe pas humbjes së atij rastit, ai i mbylli rrjetet sociale. I kam thënë që të jetë i qetë pasi ky është sezoni i tij i parë në Evropë”, nënvizoi Michel. Lojtarët e Gironës festuan si të çmendur pas lojës në fushën e blertë, ndërsa më i lumturi pa dyshim se ishte heroi i ri i ekipit, Castellanos. 

(Kosova Sot Online )