Infantino vjen me lajmin e keq: Botërori i femrave mund të mos transmetohet në Evropë

  • S.A /
  • 02 May 2023 - 16:15
Infantino vjen me lajmin e keq: Botërori i femrave mund të mos transmetohet në Evropë

 

Të hënën, Gianni Infantino, president i FIFA-s, paralajmëroi Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën dhe Anglinë se ofertat për të drejtat televizive të Kupës së Botës për Femra 2023 (20 korrik-20 gusht) janë zhgënjyese. Për këtë arsye ai kërcënon se nuk do të japë të drejta transmetimi në Evropë, transmeton "Kosova Sot Online "

“Ofertat nga transmetuesit, kryesisht ato të “Big 5” evropian (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Angli), janë gjithmonë shumë zhgënjyese dhe thjesht të papranueshme”, tha presidenti i FIFA-s, i cili parashtroi disa argumente.

“Së pari, 100% e të drejtave janë të destinuara për futbollin e femrave.

Së dyti, transmetuesit publikë në veçanti kanë për detyrë të promovojnë dhe investojnë në sportin e grave.

Së treti, audienca për Kupën e Botës për femra është rreth 50-60% e atyre për Kupën e Botës për meshkuj. E megjithatë, ofertat e transmetuesve janë 20 deri në 100 herë më të ulëta.

Kohët e fundit, ku transmetuesit ofrojnë 100 deri në 200 milionë dollarë për Kupën e Botës për meshkuj, ata ofrojnë vetëm 1 deri në 10 milionë dollarë për femrat”, theksoi ai.

Gianni Infantino njihet si një mbrojtës i madh i kauzës së futbollit të femrave, derisa ka lëshuar një paralajmërim ndaj transmetuesve publikë që nëse ofertat nuk rriten, nuk do t’iu jepet e drejta e transmetimit.

“Për të qenë shumë i qartë, është detyrim moral dhe ligjor të mos nënvlerësohet ky Botëror. Nëse ofertat vazhdojnë të jenë të padrejta, do të detyrohemi të mos transmetojmë Kupën e Botës për femra në këto 5 vendet e mëdha evropiane”, tha në fund kreu i FIFA-s.

(Kosova Sot Online )