Ekipi olimpik i Kosovës në xhudos synon medalje botërore

  • S.A /
  • 05 May 2023 - 13:16
Ekipi olimpik i Kosovës në xhudos synon medalje botërore

Ekipi olimpik i xhudos së Kosovës, do të garojë në Kampionatin Botëror, që prej 7 deri më 14 maj 2023 mbahet në Doha të Katarit, transmeton "Kosova Sot Online".

Shtatë garues do të synojnë të fitojnë medalje në garën kryesore të vitit, e njëkohësisht edhe pikë të reja olimpike për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Ekipi përbëhet nga kampionia olimpike, Distria Krasniqi, që në bagazhin e saj ka edhe dy medalje të bronzta të botës, kampionia olimpike, Nora Gjakova, medaliste e bronztë e botës, Loriana Kuka, po ashtu medaliste e bronztë e botës, si dhe Akil Gjakova, Laura Fazliu, Flaka Loxha dhe Erza Muminoviq.

Ky ekip do të udhëhiqet nga trajneri Driton Kuka dhe asistentja e tij, Majlinda Kelmendi, që si garuese është dy herë kampione e botës dhe një herë medaliste e bronztë. Të hënën garojnë Krasniqi e Muminoviq në kategorinë -52 kg, të martën Nora Gjakova e Flaka Loxha (-57 kg), si dhe Akil Gjakova (-73 kg), të mërkurën garon Fazliu (-57 kg), ndërsa të premten Kuka (-78 kg).

(Kosova Sot Online )