Amir Rrahmani e zbulon në dhomën e zhveshjes tifozin e Napolit, të cilit ia ndërpreu “momentin magjik”

  • S.A /
  • 09 May 2023 - 12:32
Amir Rrahmani e zbulon  në dhomën e zhveshjes tifozin e Napolit, të cilit ia ndërpreu “momentin magjik”

Një tifoz italian është bërë protagonist i festës së Napolit për titullin e tretë të kampionit në Serie A. Salvadore Balzano ia doli të futej në dhomat e zhveshjes ku po festonin lojtarët e Napolit, duke e shijuar një moment magjik dhe të paharrueshëm, transmeton "kosova Sot Online".

Djaloshi ka festuar në fakt së bashku me stafin dhe me lojtarët para se të zbulohej nga Amir Rrahmani.

“Po ti, kush je?”, i ka thënë futbollisti kosovar tifozit fatlum, të cilit me këtë rast ia ndërpreu “momentin magjik”.

Tifozi në fjalë e ka dhënë një intervistë për “Radio Marte”, ku e ka shpeguar taktikën e përdorur për t’u futur në zhveshtore, për më shumë, në një moment historik si ky.

“E përdora teknikën që ne e përdorim kur nuk duam ta përshëndesim dikë. Eca duke e shikuar telefonin. Dukesha që isha i zënë derisa e shihja dikë përpara. Askush nuk më ndali”, deklaroi tifozi italian.

“Unë hyra i pari, lojtarët nuk kishin ardhur ende. I pari që erdhi ishte Lobotka me pantallona të shkurtra, i cili më shikoi i hutuar. Në dorë e mbante një shallë dhe një flamur. Më pas erdhën Kim, Kvaratskhelia dhe të tjerët. Më përqafuan si të isha një prej tyre. Kapja shorce dhe fanella, isha si një fëmijë në park lodrash. Madje, shkova edhe në zhveshtoren e Udineses, e kërkova fanellën e Becaos, por ai më tha që ta lija të qetë. Ishin të gjithë të trishtuar”, tregon tutje tifozi i Napolit.

E më pas, zbulimi i Rrahmanit ia ndërpreu ëndrrën që po e realizonte.

“Rrahmani më njohu dhe bërtiti: ‘Kush është ky?”. Më pas pjesëtarët e sigurimit më larguan me qetësi, madje edhe i përshëndeta lojtarët. Tash e kam veç një dëshirë: ta takoj përsëri Rrahmanin dhe t’i them se isha unë”.

(Kosova Sot Online )